Site icon Telegrafi

Miratohet Ligji për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot Ligjin për Sigurimin e Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor.

Votimi u bë me procedurë të përshpejtuar në seancën e së enjtes.

Projektligji mori 61 vota për dhe pa ndonjë kundër apo abstenim.

“61 vota për, zero vota kundër, zero abstenime, konstatoj se Kuvendi e miraton Projektligjin për Sigurimin e Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor”, ka deklaruar Konjufca.

Pas kësaj menjëherë ka reaguar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili tha se ky ligj është hapi themelor drejt sigurimeve shëndetësore në vend dhe shtoi se procesi është i pakthyeshëm.

“Sapo miratuam në Kuvend ligjin për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor. Ligji është hapi themelor drejt krijimit të sigurimeve shëndetësore në vendin tonë. Ky proces tashmë është i pakthyeshëm”, ka shkruar Vitia.

Pas kësaj ka reaguar edhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës duke thënë se kjo ishte kërkesë jetike e të mbijetuarve.

“Pas avokimit të vazhdueshëm nga QKRMT për ofrimin e shërbimeve shëndetësore pa pagesë për të mbijetuarit e dhunës seksuale, duke përfshirë takimet e vazhdueshme me ministritë përkatëse dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe letrave të shumta avokuese, sot, më 5 dhjetor 2024, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës u miratua Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ku u aprovua edhe propozimi i QKRMT-së që viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë t’i ofrohet sigurim shëndetësor i paguar nga shteti pa asnjë kushtëzim”, ka shkruar drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti.

Exit mobile version