Telegrafi

Miratohet Ligji mbi Partneritetet Publiko Private dhe Koncesionet

Bazuar në një njoftim zyrtar të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (MEF), Partneritetet Publike Private si mjet bashkëkohorë i politikave do t’i mundësojnë Qeverisë së Kosovës uljen e hendekut në mes të fondeve publike në dispozicion dhe kostos së infrastrukturës dhe shërbimeve publike të nevojshme.

“Brenda prizmit të opsioneve të PPP-së, ekziston një numër i pafund i strukturave potenciale të transaksionit të PPP-së si kontratat menaxhuese, koncesionet, skemat e ndërtim-operim-transferimit, etj”.

Tutje në po të njëjtin njoftim zyrtar, thuhet se aprovimi i këtij ligji, përmes infuzionit të kapitalit dhe ekspertizës menaxheriale nga ana e sektorit privat, do ti jap shtytje efikasitetit, duke e bërë Kosovën më konkurruese me vendet tjera në rajon.

“Ligji mbi PPP-të është tërësisht në pajtim me dispozitat legjislative model të UNCITRAL-it dhe EBRD-së, dhe me direktivat e BE-së lidhur me PPP-të dhe koncesionet. Ligji është i favorshëm për investitorët dhe do të krijojë një kuadër lehtësues si për qeverinë qendrore ashtu edhe për autoritetet komunale në implementimin dhe zgjerimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike”

MEF po ashtu ka njoftuar se Ligji në fjalë krijon edhe dy organe kompetente përbrenda administratës publike Komisionin Drejtues Ndër-Ministror (KDNM – PPP) dhe Njësinë e Centralizuar të PPP Partneritetet Kosova.

“KDNM PPP e përbërë nga 3 ministra dhe një përfaqësues të emëruar nga kryeministri, e kryesuar nga ministri i MEF-it, themelohet për kontrollimin dhe koordinimin e Projekteve të PPP në të gjithë sektorët ekonomik dhe shoqëror”.

Duhet cekur se ky ligj nuk do të zbatohet për privatizimin ose heqjen e të drejtës së një infrastrukture publike ose ndërmarrje publike, e as për miniera, minerale, të drejta nëntokësore dhe për të drejtat e hapësirës ajrore. /Telegrafi/