Site icon Telegrafi

Miratohet impianti fotovoltaik me fuqi 8,25 MWp në anën e poshtme të digës së Zadejës

Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha miratoi në mbledhjen e fundit projektin e zbatimit të paraqitur nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare për instalimin e sistemit fotovoltaik me fuqi 8,25 MWp (megavat-peak – maksimumi i potencialit – shën. i red.), në anën e poshtme të digës Zadejë në hidrocentralin e Vaut të Dejës.

Njëkohësisht, KKDM vendosi ti kërkojë KESH-it krijimin e mundësisë së hyrjes tek të gjithë elementet e sistemeve të monitorimit të digës dhe nënobjekteve të saj përmes rrugëve hyrëse, kontrollin e të gjithë elementëve të sistemeve të monitorimit të digës që janë instaluar aktualisht dhe nëse është e nevojshme, të kryejë përshtatjen e tyre në kushtet e reja me qëllim kryesor funksionimin e tyre në të ardhmen pa probleme dhe kryerjen e monitorimit të digës në çdo kohë.

Po ashtu, KKMD i kërkoi KESH-it marrjen e masave për një largim sa më të mirë të zonës ku do të vendosen bazamentet e betonit dhe strukturat mbajtëse të paneleve FV për të eliminuar ]do efekt të erozionit sipërfaqësor që mund të krijohet në anën e poshtme si dhe zbatimin e kërkesave të VKM për ”Miratimin e Rregullores për Sigurinë e Digave dhe të Dambave” në lidhje me mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve që do të kryhen për zbatimin e këtij projekti.

Ky do të jetë centrali i dytë gjenerues fotovoltaik që KESH ka në zotërim, pas atij në digën e Qyrsaqit, në hidrocentralin e Vaut të Dejës, me kapacitet prej 5,143 MWp.

Exit mobile version