Këshilli Bashkiak i Tiranës i jep dritën jeshile miratimit të marrëveshjes së grantit me Fondin e Katarit për Zhvillim (FKPZH), për financimin dhe ndërtimin e sheshit fundor të Bulevardit të Ri të Tiranës. Për realizimin e këtij projekti, Bashkia e Tiranës do të përfitojë një grant prej 11 milionë USD, i bërë i mundur përmes Ambasadës së Katarit në Tiranë.
Ndërtimi i sheshit fundor të Bulevardit të Ri, i cili pritet të shërbejë si një vend pushimi për qytetarët dhe turistët. Sipas Bashkisë, ky projekt ka një rëndësi të madhe për zhvillimin urban dhe rekreativ të Tiranës.
Po ashtu në mbledhjen e sotme, Këshilli Bashkiak, miratoi projektin e ri “Ecole 24” që lidhet me zhvillimin e një programi edukimi, jo tradicional, në fushën e teknologjisë dhe arsimit. U miratua vënia në jetë e programit, që do të bëhet e mundur nëpërmjet bashkëpunimit tre palësh midis AADF-së, Qendrës Piramida dhe Bashkisë së Tiranës.
Programi “Ecole 24” do të mund të aksesohet falas nga të rinjtë mbi moshën 18-vjeç dhe mësimi do të zhvillohet në ambientet e Piramidës, e cila është qendra më e madhe e teknologjisë në vend.
Bëhet fjalë për një program edukimi revolucionar në fushën e teknologjisë së informacionit, tërësisht falas dhe i aksesueshëm për të rinjtë mbi 18 vjeç, pa njohuri të mëparshme në këtë fushë, i cili është i pranishëm në 29 shtete të tjera. Studentët përzgjidhen përmes një sfide meritokratike kodimi, bashkëpunojnë në projekte, duke nxitur shkathtësi dhe zgjidhjen e problemeve. Programi i edukimit ka prezencë ndërkombëtare, me kampuse ne vende të ndryshme, ku promovon një komunitet të pavarur të nxënësve në fushën e ICT.
Ecole 42 është renditur në vendin e 6 nga 300 universitetet më të mira për vitin 2024. Ecole 42 është një program edukimi pa tarifë, i themeluar fillimisht në Paris, në vitin 2013. Ai mbështetet në një model mësimi bazuar në projekte dhe mësimin reciprok mes nxënësve, pa mësues tradicional, klasa apo orare./RTSH