Telegrafi

Miratohet buxheti për muajin mars

Propozimi ka marrë edhe votat e opozitës, përkundër faktit se të gjitha partitë opozitare kanë pasur vërejtje. Megjithatë, vendimi i tyre për ta votuar këtë propozim, është bërë për të mos lënë pa rroga ata shërbyes që marrin rrogë nga buxheti i Kosovës.

Anëtari i kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Ardian Gjini, tha se mënyra se si u propozua ky projektbuxhet, tregon se qeveria e Thaçit po mundohet të fshehë dështimet për rritjen e rrogave ashtu siç është premtuar.

Ndërsa, kryeministri tha se mosdhënia e rrogave është si rezultat i zvarritjeve të procesit zgjedhor nga ata që kërkuan përsëritje të votimeve.

Aleanca Kosova e Re gjatë këtyre punimeve kërkoi që të ndryshojë procesverbali i seancës kur është votuar qeveria e re. Ibrahim Makolli kërkoi që vota e Pacollit të shpallet e pavlefshme. Por një gjë e tillë, nuk u miratua nga deputetët.

Në fund të seancës, kryeministri Thaçi i informoi deputetët për fillimin e procesit negoiaciator me Serbinë, dhe kërkoi nga deputetët, shoqëria civile dhe individët të japin kontributin e tyre në këtë proces. /Telegrafi/