Telegrafi

Miratohet buxheti i komunës së Dibrës për vitin 2017

Këshilli i komunës së Dibrës, në seancën e djeshme të fundit për këtë vit kalendarik e ka miratuar Propozim-buxhetin e komunës për vitin 2017, përcjell Telegrafi Maqedoni nga AIM.

Buxheti është projektuar në 312 milionë e 25 mijë denarë dhe krahasuar me buxhetin e sivjetshëm është “më i rëndë” për 20 për qind.

Sipas Qazim Qorrmemeti, drejtues i sektorit të financave, derdhje më e madhe planifikohet edhe vitin e ardhshëm në aspektin e granteve.

“Në pjesën e të ardhurave, përqindje më e madhe bie në zërin grante ose 165,8 milionë denarë, pastaj të ardhurat tatimore 59,5 milionë, donacione 18,5 milionë, të ardhura kapitale 17,9 milionë, të ardhura jo tatimore 15,5 për qind dhe tek zëri transfere 35 milionë denarë”, deklaroi Qorrmemeti.

Këshilltarët në seancën e djeshme të rregullt e kanë miratuar edhe vendimin për realizimin e buxhetit, si dhe Programin për punë të Këshilli të komunës për vitin e ardhshëm.

Në seancë janë miratuar edhe disa dokumente nga sfera e urbanizmit, ndërsa janë shqyrtuar edhe çështje të tjera në kompetencë të Këshillit. /Telegrafi/