Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) sot miratoi transaksionet e shitjes së aseteve me likuidim SHAL 63.
Po ashtu, mori vendim që asetet që nuk kanë marrë oferta ose janë refuzuar në SHAL 63 të shtohen në SHAL 64, e po ashtu të shtohen në SHAL 64 edhe shitja e mbetjeve metalike pronë e NSH “Urata” PRN103 që gjinden të vendosura në pronë private.
Bordi i Drejtorëve shqyrtoi dhe miratoi Plotësim-ndryshimin e Rregullores së Prokurimit me Fondet në Likuidim, aprovoi Rregulloren për shqyrtimin e ankesave në listat e 20% si dhe miratoi amandamentimin e Rregullores për Shitje Direkte.
Sa i përket çështjeve të likuidimit, Bordi i Drejtorëve miratoi propozimet e menaxhmentit të AKP-së për vendosje në likuidim të ndërmarrjeve shoqërore “Automakedonija” dhe “Borba”.
Gjithashtu miratoi raportet e shpërndarjes së përkohshme për ndërmarrjet shoqërore “Produkt” dhe “Magjistrala”, ndërkaq Bordi u njoftua për mbyllje të procesit të likuidimit për ndërmarrjet shoqërore “Vet Station” në Shtërpce dhe “Veterinary Station” në Prizren.
Në këtë takim u aprovua edhe raporti për përcaktimin e statusit si ndërmarrje shoqërore për KPS1537U/PRN193 – Ndërmarrja Organizate e Punës NSH “Nacional”.
Bordi i Drejtorëve shqyrtoi dhe miratoi kërkesën e Komunës së Lipjanit lidhur me asetet e MIM Golesh në Magure që ndërlidhet me evitimin e rrezikut për qytetarët e këtij rajoni.
Bordi mori në shqyrtim dhe aprovoi kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme lidhur me marrjen me qira të pronës së ndërmarrjes shoqërore “Trepça” Standard. /Telegrafi/