Telegrafi

Miratohen shpronësimet për autostradën energjetike

Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës ku ka marrë vendime të cilat kanë të bëjnë kryesisht me shpronësimet, ka do të kalojë autostrada energjetike Kosovë-Shqipëri.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e së hënë ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësimin dhe krijimin e të drejtës për interes publik të pronave të paluajtshme dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i trasesë për vendosjen e tubacioneve të ngrohjes nga Ndërmarrja Publike Ngrohtorja e Qytetit “Termokos” Prishtinë deri te Termocentrali Kosova B, në zonat kadastrale të komunës së Obiliqit.

“Edhe pronat të cilat preken nga ndërtimi i Linjës Energjetike 400kV Kosovë-Shqipëri, Segmenti i II-të, në zonat kadastrale në komunën e Drenasit, do të shpronësohen sipas vendimit të miratuar sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë për media.

Në funksion të realizimit të këtij projekti të rëndësisë strategjike, është miratuar edhe vendimi për shpronësime të pronave të paluajtshme, në segmentin e III-të i ndërtimit të Linjës Energjetike 400kV Kosovë-Shqipëri, në zonat kadastrale të komunave Deçan, Junik dhe Gjakovë. /Telegrafi/