Telegrafi

Miratohen shpronësimet në rrugën Prishtinë-Vushtrri

Qeveria e Kosovës ka miratuar shpronësimin ka në një pjesë kah kalon rruga e cila lidhë Prishtinën me Vushtrrinë.

“Vendimi i parë i miratuar në mbledhjen e sotme ishte për shpronësimet përfundimtare të pronave të paluajtshme dhe të zotëruesve të interesit publik të cilat preken nga ndërtimi i rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë. Shpronësimet janë në zonën kadastrale Babimoc e Milloshevë të komunës së Obiliqit, në Stanocë i Poshtëm, Stanocë i Epërm, Gracë dhe Lumi i Madh të Komunës së Vushtrrisë. Vendimi anulon shpronësimet e miratuara me vendimin përfundimtarë 06/160, të datës 11.12.2013, në po këto zona kadastrale”, thekson Komunikata e Qeverisë së Kosovës për mediat.

Po ashtu në mbledhjen e saj të rregullt, Qeveria ka miratuar kërkesën e Komunës së Prishtinës për transferimin e mjeteve buxhetore nga kategoritë e shpenzimeve kapitale në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve. “Kjo kërkesë është e lidhur me implementimin e projektit të kogjenerimit të energjisë për ngrohje të qytetit të Prishtinës”.

Në mbledhjen e sotme janë miratuar edhe pesë koncept dokumente për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve. /Telegrafi/