Site icon Telegrafi

Miratohen 39 projekte infrastrukturore në vlerë prej 2.4 miliardë eurosh

Në takimin e dytë të Këshillit Kombëtar për Investime, i kryesuar nga ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, u tha se Qeveria e Kosovës ka në prioritet 39 projekte të rëndësishme në fushën e transportit, energjetikës dhe fusha tjera, në vlerë prej 2 miliardë e 400 milionë euro, që presin të bashkëfinancohen nga Institucionet financiare ndërkombëtare.

Ndër projektet më të rëndësishme për vitin e ardhshëm mbetet vazhdimi i ndërtimit të autostradës Besi-Merdare që kap vlerën 150 milionë euro, rehabilitimi i hekurudhës linja 10 dhe projekte energjetike në vlerë prej 630 milionë euro.

Ministri Çollaku tha se Komisioni Evropian, shtetet evropiane dhe SHBA kanë ndihmuar financimin e shumë projekteve të rëndësishme me miliarda euro, dhe pritet që edhe në të ardhmen të jenë partner të projekteve madhore në Kosovë.

“Sot pas pesë muajve të punës intensive para nesh kemi një program i cili në vete përmban projektet për investime infrastrukturore dhe në këtë program gjinden 39 projekte në fushën e transportit, energjisë dhe mjedisit duke përfshirë një vlerë të përafërt prej 2.4 miliardë euro. Kjo ështà « hera e parë që institucionet e Kosovës kanë arritur të përgatitin një program të qartë për intime infrastrukturore për dekadat në vijim”, tha ministri Çollaku.

Edhe përfaqësues të Komisionit Evropian treguan gatishmërinë e financimit të projekteve që janë me prioritet për Qeverinë e Kosovës.

Udhëheqësi i Njësisë për Kosovë dhe Maqedoni nga Komisioni Evropian, David Cullen, tha se në vitin 2015 është arritur një përparim mjaft i madh në dizajnimin dhe vendosjen e elementeve themelore të një sistemi transparent dhe efikas për përzgjedhjen e investimeve dhe privatizimit. Projektet janë identifikuar sipas strategjive të ndërlidhura dhe vlerësimi strategjik i ndërlidhur është bërë, i cili ka çuar në renditjen e projekteve për strategjinë e tubacioneve për transport, energji dhe mjedis.

“Në vitin që po vjen, kjo kornizë e politikave të reja duhet të konsolidohet dhe përmirësohet dhe më shumë; procedurat dhe mënyrat e funksionimit të saj duhet të bëhen më efikase. Nuk duhet të pushojmë, por duhet të punojmë dhe konsolidojmë punën e bërë jashtëzakonisht mirë deri më tani. Komisioni Kombëtar për Investime dhe projekti për tubacionin do të jenë themeli për çfarë do aplikimi për financimin e projekteve për investime përmes Kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor”, tha Cullen.

Ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku tha se kjo Ministri ka 11 projekte, 6 në infrastrukturë hekurudhore, kurse 5 nga infrastruktura rrugore. Ai tha se kanë edhe një propozim për shtesë të dy projekteve tjera një që ka të bëjë me shërbimet e navigacionit ajror. Zharku tha se projekti i parë me prioritet është rehabilitimi i përgjithshëm i linjës 10 përkatësisht hekurudha nga Leshaku i veriut të Mitrovicës deri në Han të Elezit. Kurse, sipas tij projekti i dytë me prioritet mbetet vazhdimi ai autostradës Besi – Merdare në vlerë prej 150 milionë eurosh.

“Projekti i dytë ka të bëjë me përfundimin e pjesës së mbetur të linjës 7 apo autostradës “Ibrahim Rugova” që është nga Besia deri në Merdare. Me përfundimin e kësaj pjese të mbetur do të përfundohet pjesa që është në Kosovë dhe presim që edhe në pjesën e Serbisë të vazhdoj projekti deri ën Nish e që do të kemi lidhjen me korridorin tjetre që lidhe Beogradin me Shkupin”, tha Zharku.

Kurse ministri i Financave Avdullah Hoti, foli për aplikacionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përfitim nga raundi i ardhshëm i Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimorë (WBIF) dhe njoftoi të pranishmit se në kuadër të përvojës së suksesshme në WBIF, në raundin e 14 – të hapur në gushtë 2015 janë aprovuar aplikacionet siç janë: dizajni detal dhe dokumentacioni i tenderit për fazën e dytë të rehabilitimit të linjës hekurudhore 10, dizajni detal dhe dokumentacioni të tenderit për Fushë Kosovë –Merdare që përfshinë fazën e dytë të linjës hekurudhore si dhe vazhdimi projektit ekzistues për studimin e fizibilitetit për kanalin e Lepencit.

Edhe zëvendës Ministrja e Zhvillimit Ekonomik Besa Gashi dhe ministri i Mjedisit, Ferid Agani kanë shpalosur gjatë këtij takimi projektet e tyre për investime. /Telegrafi/

Exit mobile version