Shumë diskutime në shoqërinë tonë përfundojnë me konstatime fikse kur bisedohet për marrëdhëniet e Kosovës me ndërkombëtarët. Në përgjithësi, ekziston miti se “të huajt e kanë në dorë këtë punë”, me ç’rast aludohet në një komplot ku i gjithë rrugëtimi ynë historik e politik ka qenë dhe është i paracaktuar nga fuqitë e mëdha e hegjemonitë e kohës (thuajse të tjerët nuk kanë pasur punë të tjera pos ta hartojnë në detaje skenarin e rrugëtimit të shqiptarëve!).
Kështu, diskutuesit e shfajësojnë pafuqinë e tyre dhe pamundësinë e ndryshimit të gjendjes. Pra, e vënë fatin e tyre në duart e tjetërkujt!
Pas këtij konstatimi fillon dekonspirimi i “te huajve”: “Atyre u intereson stabiliteti i brendshëm dhe ai në rajon”. thonë. Dhe, edhe pse ky stabiliteti në rajon është i pamjaftueshëm për zhvillimin e Kosovës, është konstatimi i parë, ai i pafuqisë për të ndryshuar, që e arsyeton pranueshmërinë e këtij fakti. E kështu biseda kryhet se edhe akteri e edhe qëllimi u definuan – pra, i vihet kapak kësaj pune!
Fillimisht, nuk mund të mohohet ndikimi i ndërkombëtarëve në të gjitha proceset e mëdha nëpër të cilat ka kaluar e po kalon Kosova. Prej intervenimit të NATO-s e tutje, fuqia e tyre, në forma të ndryshme, ka ndikuar në vetë formimin e Republikës së Kosovës.
Rrjedhimisht, për shkak të marrëdhënieve pozitive, ndërkombëtarët dhe shtetet përkatëse filluan të quhen “miq ndërkombëtarë” nga politikanët vendorë, ndonëse në shkencën e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk është se njihet miqësia si fenomen që e karakterizon marrëdhënien mes shteteve. Në fakt, për shkak të interesave të përbashkëta, në sferën ndërkombëtare krijohen bashkëpunime në fusha të ndryshme dhe aleanca ushtarake, por nuk thuhet se u krijuan “miqësi” – aq më pak kur ka shpërputhje në mes të interesave apo pozicioneve të shteteve në sferën ekonomike e ushtarake. Meqenëse ne nuk kemi as ekonomi të zhvilluar e as ushtri të njohur ndërkombëtarisht, atëherë vetëmjaftohemi me këtë raportin abstrakt të “miqësisë!”
E pasi që jemi miq, atëherë qëllimet tona nuk do të duhej të ishin aq larg njëra tjetrës, apo jo? Por, a është kështu? Më herët e përmenda stabilitetin e brendshëm dhe atë në rajon si qëllime të miqve tanë. Nëse ky stabilitet nënkupton zhvillim të Kosovës përmes përmbushjes së synimeve të popullit, atëherë qenkemi në të njëjtat frekuenca me miqtë. Por, nëse stabiliteti (sidomos ai i brendshëm) nënkupton vazhdimësi të të njëjtit avaz politik me qeverisje të korruptuar e politikan të shantazhuar, atëherë nuk është duke na ecur shumë mirë miqësia.
Janë dy procese shumë të dëmshme për Kosovën të cilat janë nisur e përkrahur nga ndërkombëtarët, gjithmonë me miratimin e politikanëve të shantazhuar vendorë. I pari është privatizimi i cili ka rritur pabarazinë në mes qytetarëve dhe përmes të cilit kanë përfituar vetë pushtetarët. Dhe, procesi i dytë përbën bisedimet me Serbinë që janë zhvilluar pa kushte dhe për çështje të brendshme të Kosovës.
Shembulli i fundit që e dëshmon dëmin që këto bisedime po ja shkaktojnë Kosovës është barrikada e vendosur së fundmi në urën mbi lumin Ibër. Kjo barrikadë është sponsorizuar nga kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut – komunë e kryetar që rezultuan nga Marrëveshja e 19 prillit 2013. Edhe kryetari e edhe komuna janë të njohur nga Republika e Kosovës dhe “veprojnë” nën ombrellën e institucioneve shtetërore. Por, siç e pamë, ky kryetar “me letra” është nën drejtimin e Prishtinës e me vepra nën atë të Beogradit! Paramendoni sikur edhe kryetarët tjerë të komunave me shumicë serbe të fillojnë aksione të tilla ku vendosin t’i bllokojnë rrugët e të krijojnë zona të tyre. E kësaj duhet shtuar edhe klauzola raciste e Marrëveshjes që thotë se komandanti i stacionit policor në veri duhet të jetë serb. Ja pra, këto janë rezultate konkrete të marrëveshjes!
Para pak ditësh patëm deklaratën e këshilltarit të kancelares Merkel, Andreas Schockenhoff, i cili kërkoi që dialogu të vazhdojë. Deklarata të ngjashme kemi dëgjuar edhe nga ambasadorë e diplomat të ndryshëm – krejt këta të cilësuar si miq ndërkombëtar.
Por, këtu kemi një shpërputhje në mes konceptit tonë të miqësisë dhe kërkesave të këtyre miqve, sepse kërkesat e tyre po rezultojnë në procese të dëmshme për Kosovën. Bisedimet me Serbinë nuk i kanë sjellë asnjë të mirë Kosovës. Rrjedhimisht, vazhdimi i këtyre bisedimeve është vazhdim i degradimit të mëtutjeshëm të këtij pak sovranitetit që i ka mbetur Republikës. Madje, edhe më keq se aq: përderisa kemi bisedime të tilla, do të kemi politikanë të korruptuar të cilët jetën e tyre jashtë grilave e zgjasin vetëm përmes bisedimeve.
Pra, kërkesa për t’i vazhduar këto bisedime nuk po na del të jetë shumë miqësore, sepse nuk pritet nga miku të kushtëzojë për diçka që të dëmton e do të dëmtojë edhe në të ardhmen.
Me siguri se ata që e besojnë atë mitin që e kam përshkruar në fillim do të frikësohen se është e pamundur t’u themi JO ndërkombëtarëve. E pamundur nuk është, por e pamundur bëhet përderisa në pushtet janë politikanët të cilët fare lehtë shantazhohen për shkak të dosjeve përplot afera kriminale.
Duhet pranuar se saktësia e konstatimit tonë për miqësi është vënë në pyetje edhe më herët. Pak kohë më parë doli lajmi se ish-ambasadori amerikan Christopher Dell (edhe ky një tjetër mik ndërkombëtar) është punësuar nga Bechteli, kompani kjo që e shtjerri buxhetin e Kosovës për ta ndërtuar “Rrugën e Kombit.”
Ky altruizmi i pavetëdijshëm që na bën të brengosemi për atë se çka do të mendojnë të tjerët para se ne të mendojmë për vete duhet lënë anash. Është e shëndetshme edhe për ne e edhe për ndërkombëtarët që ta demokratizojmë njëri-tjetrin: ne duke vendosur vetë e ata duke i respektuar vendimet e përfaqësuesve të popullit në një shtet sovran. Por fillimisht, na duhen përfaqësues të vërtetë të popullit të cilët nuk do të jenë peng e të kaluarës së tyre!