Prishtina dhe Sivasspor do të ndeshen më 6 shtator në kryeqytet, në sfidën e parë ndërkombëtare që luhet nën ombrellën e FIFA-së.
Drejtori i kryeqytetasve, Sokol Krasniqi, i ka thënë KosovaPress-it se përgatitjet për këtë ndeshje janë duke shkuar mjaft mirë, por ai shpreson se nuk do të mungojë edhe ndihmën e donatorëve.
Sokoli beson se më kohë gjithçka do të jetë gati për miqësoren kundër Sivassporit, e cila drejtohet nga ish ylli brazilian, Roberto Carlos. Ai mendon se kjo miqësore do të jetë një dritare në rrugën drejt ndërkombëtarizimit të futbollit tonë.
“Nevojiten investime mjaft të mëdha dhe kemi bërë kërkesa tek disa donator të cilët do të kundër shpërblehen më reklamimet e kompanive të tyre dhe shërbimet tjera që do të jenë në stadiumin e qytetit dhe ne presim që të reflektojnë pozitivisht në mënyrë që kjo ndeshje që është e para pas pavarësisë së Kosovës në aspektin ndërkombëtar dhe e monitoruar nga FIFA, të jep terë shkëlqimin dhe fuqinë e futbollit kosovar, në mënyrë që të bëhemi një dritare e fuqishme në ndërkombëtarizmin e sportit, në veçanti futbollit”, ka thënë Sokoli.
Ai është i bindur se atmosfera do të jetë e bukur në miqësoren Prishtina-Sivasspor, sepse sipas tij, ardhja Roberto Carlosit do të rrisë në masë të madhe interesimin e shikuesve për të parë nga afër ish reprezentuesin brazilian.
“Unë më këtë rast do t’i shfrytëzoja mediumet dhe mediumin e respektuar të juaj që t’i ftojë të gjithë ata që janë të interesuar që të bëjmë një atmosfere çfarë ka ndodhur në vitet e 80-ta. Të gjithë futbolldashësit dëshirojnë të hyjnë në stadiumin e Prishtinës, sepse vet prania e një trajneri siç është Carlosi dhe vet FC Prishtina, e cila tani më ka bërë një ekip jashtëzakonisht profesional dhe të përgatitur, unë i ftojë ata që të vijnë sa më masovikisht, sepse jam shumë i bindur se do të kënaqemi me futboll, do të kënaqem me atmosferën e cila do të krijohet në stadium e qytetit”, tha Sokoli.
Drejtori i “bardhekaltërve”, është bindur se miqësorja me klubin turk do të reflektojë pozitivisht në rrugën drejt ndërkombëtarizimit të futbollit tonë. /KP/Telegrafi/