Telegrafi

Miocic mposht Cormierin dhe konfirmohet më i madhi i peshave të rënda në UFC

Stipe Miocic - Daniel Cormier (Foto: Jeff Bottari/Zuffa LLC via Getty Images/Guliver)

Stipe Miocic ka arritur të mposht Daniel Cormierin me vendim unanim të jurisë në një duel prej pesë raundesh të shtunën në mbrëmje në UFC.

Miocic ka triumfuar ndaj Cormier në ngjarjen kryesore të UFC 252, të zhvilluar në kompleksin UFC APEX, në Las Vegas.

Me këtë fitore, luftëtari kroat-amerikan ka mbrojtur titullin për peshat e rënda dhe kompletuar një trilogji fantastike mes dy luftëtarëve.

Miocic (20 fitore dhe 3 humbje) triumfoi me pikë nga tre gjyqtarët (49-46, 49-46 dhe 48-47), për t’u konfirmuar ndoshta më i madhi i peshave të rënda në historinë e UFC-së.

Luftëtari kroat-amerikan ishte gjatë gjithë ndeshjes më i mirë dhe më aktiv se Cormier, i cili pësoi edhe dëmtime në sy.

Miocic ishte i papërmbajtshëm (Foto: Jeff Bottari/Zuffa LLC via Getty Images/Guliver)

Pas humbjes, Cormier u dërgua në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Ndryshe, 41-vjeçari Cormier është një ish-kampion në dy divizione dhe tashmë ka betonuar statusin e tij si një nga luftëtarët më të mëdhenj në historinë e sporteve të përziera marciale.

Ai ishte zotuar se do të tërhiqej pas duelit të së shtunës ndaj Miocic dhe tha se i qëndron ende vendimit të tij për të dalë në pension. /Telegrafi/