Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka thënë se do të marrin shembull nga Obiliqi për mbrojtjen e mjedisit në disa komuna të ndotura në Shqipëri. Këto komente ai i ka bërë sot pas takimit me kryetarin e Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi.
Sipas tij, ligji i miratuar së fundi në kuvend për Obiliqin është shembull edhe për të gjithë dhe se eksperienca të tilla të barten te kryebashkiakë në Shqipëri, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se arsyeja që ka vizituar këtë komunë është pikërisht se kjo komunë është e rëndësishme dhe strategjike për Kosovën, duke shtuar se është në zemër të industrisë së nxjerrjes së qymyrit.
“Ligji i ri për Mbrojtjen e Ambientit është shembull edhe për të gjithë ne në Shqipëri. Nga ana tjetër biseduam që të vijnë këtu dhe të marrin eksperienca edhe kryebashkiakë të disa zonave të ndotura të Shqipërisë në mënyrë që kjo eksperiencë të bartet edhe tek ne dhe të krijohet një eksperiencë e mirë bashkëpunimi”, ka thënë Minxhozi.
Sipas ambasadorit, ajo që po bëhet sot në Obiliq është në interes të qytetarëve të Kosovës.“Energjia elektrike është një armë strategjike e zhvillimit të një vendi dhe këtu mendoj që komuna ka një rol shumë të rëndësishëm edhe në implementimin e projekteve të ardhshme në fushën e energjetikës në Kosovë. Energjetika lidh dy vendet, energjetika lidh dy anët e kufirit dhe energjetika është prioritet kryesorë i marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës”, ka thënë Minxhozi.
Kryetari i Komunës së Obiliqit Xhafer Gashi ka pritur në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë Qemal Minzhozin. Qëllimi i takimit ka të bëjë për punët dhe çështjet komunale. Pas takimit që të dy do të prononcohen për media. Kryetari i Komunës së Obiliqit Xhafer Gashi pas takimi tha se qëllimi i kësaj vizite ishte për ta njoftuar më afër ambasadorin Minxhozi për buxhetin komunal si dhe për projektet dhe zhvillimet që janë bërë në këtë komunë prej marrjes së mandatit të
tij.
“E njoftuam për implementimin për aprovimin e ligjit të Obiliqit që trajtohet si zonë e veçantë dhe patëm edhe bisedime rreth zhvillimit ekonomik që të kemi bashkëpunime me kompani të ndryshme duke marrë parasysh kompanitë e Shqipërisë dhe të vendit tonë që të kemi bashkëpunim më të mirë”, tha Gashi. /Telegrafi/