Site icon Telegrafi

Minxhozi: Fuqizimi ekonomik i Shqipërisë dhe Kosovës, pikën doganore e shndërron në “muze”

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi në emisionin “Personale” me Krenare Vokshi-Shala në RTV Dukagjini, ka ardhur më një rrëfim për anën e tij të panjohur për publikun në Kosovë.

Minxhozi tregon se vizitën e tij të parë në Kosovë e kishte zhvilluar në vitin 1999 menjëherë pas lufte.

Ai kishte ardhur në Kosovë me një mision shumë të veçantë, të bënte rolin e përkthyesit për një gazetarë të Danimarkës që kishte ardhur për të intervistuar Mahmut Bakallin.

“Bakalli ishte një persona shumë i hapur dhe kishte një mentalitet shumë perëndimor. Intervista e tij me gazetarin danez ishte brilante”.

Tre muaj para se të emërohej ambasador në Kosovë, Minxhozi thotë se kishte ardhur në një ngjarje familjare pasi mbesën e ka të martuar me një djalë nga Kosova i cili jeton në SHBA prej 20 vitesh.

Ai thotë se realisht Kosovën e kishte njohur pak, para se të emërohej ambasador.

“Unë kisha studiuar politikat e Ballkanit për shkak të angazhimeve të mia akademike, por ndryshe ishte më të lexuar e tjetër gjë kur e përjetoje realitetin vet… Ngjashmëria me Shqipërinë është në shkallën më të jashtëzakonshme”.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë ka thënë se shqiptarët duhet të punojnë në drejtim të mirëqenies dhe zhvillimit ekonomik pasi sipas tij gjithçka lidhet me ekonominë.

“Të punojmë që ajo dogana që ekziston mes nesh të mbetet muzeum”.

Minxhozi ka thënë se Kosova dhe Shqipëria nuk duhet “t’i vënë në vagë” se kush po eksporton më shumë apo më pak, pasi sipas tij situatat janë të ndryshme.

Ai thotë se Shqipëria është treg më i madh dhe është normale që të ketë më shumë eksporte drejt Kosovës.

“Është normale që edhe nga Kosova të ketë më shumë turistë në Shqipëri pasi kjo e fundit ka një vijë bregdetare shumë të gjatë e që Kosova nuk e ka. Por Kosova ka malet që mua tash më thërrasin miqtë nga Shqipëria dhe më thonë: ‘a ka borë në Rugovë apo Brezovicë’. Ata janë turistët e parë të maleve dhe borës”.

Minxhozi thotë se në disa produkte ka limite për shkak të politikave tregtare të Shqipërisë e që sipas tij nuk ka të bëjë me produktet vetëm nga Kosova.

Ai thotë se pika më e dobët e shqiptarëve është që vetëm flasin e nuk punojnë në atë drejtim që të ndryshojnë ligjet në mënyrë që të shmangen burokracitë mes vete./Telegrafi/

Exit mobile version