Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se deportimi i Sekretarit për Marrëdhënie me Jashtë i Lëvizjes Vetëvendosje, Boiken Abazi, është rasti i parë i tillë në raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Minxhozi ka theksuar se ende ka paqartësi lidhur me veprimet e Policisë së Kosovës dhe se informatat për këtë gjë janë kontradiktore, njofton Klan Kosova.
“Ky deportim duhet të bëhet në bazë të ligjeve që ka Kosova, nuk kam njohuri të thella për këtë problem, nuk jam i qartë nëse arrestimi ka qenë me një urdhër arrest. Nuk e di nëse ka qenë në përputhje me të drejtat e njeriut. Janë disa pikëpyetje që duhet të zgjidhen. Kam njoftimin që e ka dhënë policia që s’ka vepra penale, por është thënë që ka pas raste në të kaluarën, është goxha kontradiktore, nuk jam i qartë sa e kanë parë institucionet e sigurisë rrezikshmërinë e këtij personi”, tha Minxhozi.
Ambasadori ka deklaruar se veprimi shkakton ndenjë jo të mirë, ndërsa ka bërë të ditur se për mendimin e tij ka mënyra të tjera se si mund të realizohen këto gjëra.
“Ne e kemi marr një informacion që ende nuk është i plotë që tregojnë arsyet e vërteta. Ky është rasti i parë që ndodh në marrëdhëniet në mes dy shteteve, nuk ka pas nga Shqipëria që është deportuar ndonjë shtetas i Kosovës, rasti po shqyrtohet me kujdes”.
“Ky është shqiptar, ndjesia nuk është pozitive nuk ndihesh mirë. Ne nuk kemi pas rast të tillë apo për të kaluar në ekstreme për të deportuar. Kishte mënyra tjera për t’u bërë, këto janë ende hamendje pasi duhet të shikohet praktika më me qetësi”, tha Minxhozi.