Nga: Mitro Çela
“Të mos hidhërohemi që na iku. Të gëzohemi që e patëm.” Kështu shkruhet në librat e shenjtë. Dhe Fiksi e kishte Koçon për vite me radhë. Tragjedi ose komedi. Në “laboratorin” e Koços kthehej në humor.
1. Mjeshtëri i Madh
Pallati i Brigadave. Presidenti Bujar Nishani shpërndau një “tufë” me dekorata. Koçoja në një dorë mori dekoratën. Në tjetrën mikrofonin:
– Zoti President! Do vijë një ditë që do ketë kaq shumë “Mjeshtra të Mëdhenj”, sa nuk do gjejmë “Mjeshtra të vegjël”?
2. Leukemia
Kohë më parë Koçoja u shtrua në spital. Nga spitali, drekë tek “Tajvani”.
– Filip! Doktorët më fjalë zëmre më thanë: ke leukemi. Të kanë mbetur tre ose katër vite jetë!
– Koço! Mjekë janë këta?! Nuk e ndajnë dot? Fikse si ta bëjë planin e shpenzimeve?!
– Do ta rregullojmë. Do shkoj në Amerikë…
Iku. Erdhi. Buzëgaz na tha: Mjekët amerikanë më dhanë ymër: tre vjet!
– Kjo po! Tani dëgjo Koço -tha Filipi – shpenzimet e varrimit, drekën, transportin, ,ë the të thashë i ka Fiksi!
– Po të 40-tat?! Mua mi latë?!
3. Keshilla nga Devole
Mars 2020. Filipi, mua dhe Koço Devolen na futi në karantinë. Pse? Sipas Filipit: virusi bie në sevda me pensionistët. Sipas Koços? Ruan veten. E zëmë se na mbërthen virusi. Nuk e dimë. Serbes shkojmë në punë. Pimë kafe me Filipin… Virusi është ngjitës! E ha Filipi. Në orën 10 ra telefoni… Ishte Koçoja.
– Si po kalon, mo bir? – pyeta unë.
– Brenda në shtëpi. Shkruaj dhe kam nisur të bëj karikatura. Laj rrobat dhe i nder me nge në ballkon, pasi të njëjtën gjë bëjnë dhe nja dy zonja që tani po i njoh. Dal unë, dalin dhe ato. Bëjmë muhabet duke pirë kafe secili në ballkonin e vet. Fërkohemi nga larg. Dashuri në kohën e koronës…
– Koço! Dua të qaj një hall me ty. Dje qërova një vezë. Në pjatë kisha mbajtur lëvozhgat. Koqe venë e kisha hedhur në koshin e plehrave.
– Mund të quhet hutim?!… Por e përsërita me bananen. E zhvesha dhe e hodha tek plehrat. Në dorë mbaja lëkurën.
– Ta kem të keqen nga karantina apo nga pleqëria?!
– Pleqëria, mo?! -tha Koçoja – Ç’ne! Ti për punë seksi je adoleshent!
– Më lehtësove Koço?!…
4. I marrë?!
– Allo…Koço! I dërgova një vidio time Filipit. Më ktheu përgjigje:
– Mitro, unë dija që Covid-19 prek mushkëritë, po jo trurin…
– Ta ketë seriozisht apo tallet?!
– Ti e di që Filipi gjithmonë tallet. Por, rrallë, ama shumë rrallë flet seriozisht. Ndoshta ky është fati yt!
– Më gëzove. I marrë njeriu bëhet gjeni! Ti e di: të mençurin dhe të marrin, një fije i ndan.
– Shënjat i ke Mitro. Mendoj se po të përpiqesh edhe pak mund t’ia arrish qëllimit, të marrosesh komplet e të na bësh ndonjë kryevepër. Por, po nuk të dha licencën edhe Flamur Bërdëllima, marrëzia del skarco!
– Pa merak. Atë licencë e kam. Takova një ditë Flamur Bërdëllimën. Kam bërë këtë libër: “Jemi shtuar ne budallejtë.” Je edhe ti në librin tim.
– Me dy licenca futju punës si turku… – tha Koço.
– Koço më pëlqen, sepse edhe ti në “detin” e marrëzisë “noton”. Por, kemi edhe shokë nëpër botë. Dostojevski i marrë shkroi kryevepra. Kur u shërua, dogji dy romane që kishte shkruar!
– Edhe Gëte u çmend kur mbushi 74 pranvera. – foli Koçoja. – I marrosur u dashurua dhe e kërkoi për grua një vajzë 19 vjeçe! Për çupën shkroi një elegji: një nga perlat e letërsisë gjermane!
4. Dhia
Ishte festa e Fiks Fare. Ha. Pi. Muzikë e vallëzim. Humor. Thumba. Batuta. Me gotën e verës në dorë, tha Dori:
– Do ishte në nderin tonë, të dëgjonim një histori nga Koço Devole.
– Një ditë, në Rrugën e Kombit, u shtyp një dhi. – tha Koçoja. – Komentin e parë e bëri Rama: Kazani shkruan që dhinë e shtypi makina. Në fakt e vrau Berisha. E kini parë autostradën? Mavri me bojra. Asfalti, në vend të ngjisi, rrëshket. Urat – për ibret. Pa gardhe anësore. Kalojnë para makinave derra e dosa. Nga informacionet e ministrit Lleshi, del se dhia kishte dy keca! Dhe ata mbetën jetimë?! Dhe shtëpia pa qumësht?!
Komentin e dytë e bëri Berisha: Qytetari digjital më informon: Dhinë e shtypi Rama. E di pse doktor? Malet dhe kodrat janë mbushur me hashash. Hëngri dhia e gjorë! E trullosur nga droga, përfundoi nën rrotat e makinës!
– I treti komentoi Mitroja: Ka ardhur një video në Fiks Fare. E pashë! Gjyna nga Zoti: Ishte dhi seksi!
5. Poturet
Pashë Koçon me poture. I them: – Më gjëj edhe mua një palë poture? Zhilenë e kam vetë.
– Jo! Nuk bën! Vetëm dy personalitete, në mëmëdheun tënë mama, mund të mbajmë poture: Unë dhe z. Rama!… Është e letë të qepësh një palë poture. Por, e rëndë. E rëndë shumë ti meritosh, për ti veshur si poture! Kupton mo Mitro Xhani, apo je pykë në diell?!
6. Epilog
Në 55 vjet Koço Devole “dhuronte” humor. Gëzim. Lumturi. Por, kur vdes aktori i humorit, bota qan. Kam 40 vjet qe punoj me Filipin. Dje e pashë për herë të parë të përlotet. Erdhi Agron Llakaj. Lotët gurrë. Nga Amerika në telefon Pëllumb Kulla: lotët i “mbysnin” fjalët.