Site icon Telegrafi

MINT ndan skemën e parë të granteve për certifikimin e produkteve në vlerë 400 mijë euro

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) ka filluar zbatimin e Politikës Industriale sipas analizës së përformancës industriale dhe studimeve të zinxhirëve të vlerës për zhvillim industrial, duke mbështetur bizneset për certifikimin e produkteve, që kanë për qëllim eksportin përmes skemës financiare të granteve.

Në komunikatë thuhet se në fazën e parë të kësaj skeme përfituan gjithsej 10 biznese derisa vlera e granteve të dhëna është 400 mijë euro.

“Nga marrëveshjet e nënshkruara përmes kësaj skeme bizneset do të përfitojnë menjëherë 80% të mjeteve, derisa pjesa tjetër prej 20% do të realizohet atëherë kur bizneset të përfundojnë procesin e certifikimit të produkteve për eksport”, thuhet në komunikatë.

Grantet u nënshkruan nga sekretari i MINT, Daut Latifaj, ndërkaq për një fjalë rasti ministrja e MINT Rozeta Hajdari para përfaqësuesve të bizneseve tha se Politika Industriale, zbatimi i së cilës po nis suksesshëm, ka krijuar një momentum të ri për bizneset tona, duke i përgatitur prodhimet vendore për tregun ndërkombëtar.

“Vitin e ardhshëm planifikohet që vlera e granteve vetëm për certifikim do të jetë mbi 1 milionë euro. Në kuadër të Politikës Industriale, bizneset do të bëhen të konkurrueshme në tregun rajonal dhe ndërkombëtar dhe do të jenë shtytës kryesor i zhvillimit social, ekonomik dhe mjedisor për Republikën tonë”, theksoi Ministrja Hajdari.

Exit mobile version