Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka njoftuar se Inspektorati i Tregut i ka konfiskuar disa produkte “Lodra për fëmijë – imitim i ushqimeve”, të cilat janë të ndaluara të vendosen në treg.
Sipas njoftimit, inspektorët për sigurinë e produkteve kanë ndaluar nga shitja dhe kanë konfiskuar këto produkteve në sasi prej 417 copë.
Ministria ka cituar Ligjin nr. 08/L-172 për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve, i cili ndalon prodhimin, importin, eksportin dhe vendosjen e produkteve mashtruese në treg.
“Produktet mashtruese janë ato produkte të cilat kanë pamje imituese, që nuk është produkt ushqimor por ka formë, erë, ngjyrë, dukje të jashtme, ambalazh, shenjë, vëllim ose madhësi të produktit ushqimor, ashtu që konsumatori, sidomos fëmija, të mund ta ngatërrojë me produktin ushqimor dhe ta vërë në gojë, thithë ose gëlltisë, çka mund të paraqesë rrezik ose të shkaktojë, ngulfatje, helmim, shpim ose pengesa në traktin e tretjes.
Me këtë rast, inspektorët për sigurinë e produkteve në kuadër të Inspektoratit të Tregut – MINT, kanë ndaluar nga shitja dhe kanë konfiskuar këto produkteve në sasi prej 417 copë”, thuhet në komunikatën për media të ministrisë.
Inspektorati i Tregut ka thënë sembetet i përkushtuar të mbroj shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve duke eliminuar nga tregu çfarëdo produkti që paraqet rrezik për përdorim.
“Prandaj, ftojmë të gjithë qytetarët që nëse hasin në produkte të tilla në treg të lajmërojnë inspektorët e tregut të cilët do të reagojnë konform kompetencave që kanë”, thuhet tutje. /Telegrafi/