Inspektorët e Tregut të MINT në bashkëpunim me inspektorët e ATK-së, kanë inspektuar pikat e karburantit pas ankesës për rritje të çmimeve.
Siç njofton zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, gjatë inspektimit ka rezultuar që nga 22 pika të karburantit të inspektuara, të 19 Operatorë Ekonomikë është konstatuar që janë duke respektuar çmimet maksimale të lejuar, kurse 3 operatorë ekonomikë nuk kanë respektuar përcaktimin e çmimeve.
“Ata janë urdhëruar që menjëherë të rregullojnë çmimet sipas njoftimit të MINT dhe ndaj tyre janë marrë masa ndëshkuese në pajtim me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Kryeziu.
Gjithashtu në komunën e Gjilanit, inspektorët e tregut në bashkëpunim me inspektorët e metrologjisë dhe inspektorët e tregut në nivel komunal, kanë inspektuar disa Operatorë Ekonomikë/Furra të Bukës, me qëllim të verifikimit të çmimeve të bukës.
Sipas tij, është konstatuar që ka ngritje të çmimit të bukës prej 0.50 në 0.60 cent.
Pas kësaj inspektorët e tregut kanë kërkuar dokumentacionin e nevojshëm për të vlerësuar nëse ngritja është si pasojë e ngritjes së çmimeve të produkteve të tjera si miell, vaj është ngritje artificiale apo të pajustifikueshme.
Pas vlerësimit do të merren masa në pajtim me legjislacionin në fuqi.
“Ftojmë qytetarët që për çdo parregullsi në treg të adresojnë ankesat e tyre në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit (MINT) në numrin e telefonit 0800 11 000 apo në platformën”, thuhet në fund.
Rreth 1700 ankesa të konsumatorëve për 6 muaj
Departamenti i Mbrojtjes së Konsumatorit nga 1 janari i këtij viti e deri më sot ka pranuar gjithsej 1675 ankesa të konsumatorëve nga të cilat ka zgjidhur 374 sosh, 1112 janë në proces të shqyrtimit, ndërsa janë refuzuar 189.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë më 2012 ka krijuar si njësi të veçantë Departamentin e Mbrojtjes së Konsumatorit.
Mbrojtja e konsumatorit ka të bëjë me krijimin e një ambienti të sigurt, se të gjitha produktet dhe artikujt që ata dëshirojnë t’i blejnë të janë të sigurta.
Rregullimi i kësaj fushe mbështetet në tri shtylla kryesore siç janë shëndeti i konsumatorit, siguria e konsumatorit dhe mbrojtja e të drejtave të konsumatorit. /Telegrafi/