Minneapolis do të lejojë ezanin të dëgjohet me zë të lartë në të gjitha orët, duke u bërë qyteti i parë i madh amerikan që lejon që ezani të dëgjohet nga altoparlantët pesë herë në ditë.
Këshilli i Qytetit të Minneapolis ra dakord unanimisht të ndryshojë urdhëresën e qytetit për zhurmën, e cila parandaloi thirrjet gjatë agimit dhe natës vonë në periudha të caktuara të vitit për shkak të kufizimeve të zhurmës.
“Kushtetuta nuk fle natën”, tha Jaylani Hussein, drejtor ekzekutiv i Këshillit për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike, pas votimit, raporton al-jazeera.
Ai tha se “veprimi” në Minneapolis i tregon botës se një komb i themeluar mbi lirinë fetare po mban premtimin e tij.
Minneapolis ka një popullsi të madhe emigrantësh nga Afrika Lindore dhe xhamitë janë të zakonshme. Tre nga 13 anëtarët e këshillit e identifikojnë veten si myslimanë. Vendimi nuk shkaktoi kundërshtim të organizuar të komunitetit. Kryebashkiaku Jacob Frey pritet të nënshkruajë masën javën e ardhshme.
Vitin e kaluar, qyteti lejoi të thirret ezani gjatë gjithë vitit, por vetëm midis orës 7 të mëngjesit dhe 22:00, zakonisht duke përjashtuar namazin e mëngjesit të hershëm (sabahit) dhe ndonjëherë namazin e natës (jacinë).
Në një seancë publike të kohëve të fundit, udhëheqësit e krishterë dhe hebrenj shprehën mbështetje për zgjatjen e orarit të ezanit. /Telegrafi/