Ministrja për dialog Edita Tahiri, ka udhëtuar sot për Bruksel për të marrë pjesë në raundin e ri të bisedimeve të thirrur nga Bashkimi Evropian.
Qëllimi i këtij takimi, sipas një komunikate, do jetë zhbllokimi i procesit të zbatimit të marrëveshjeve të arritura më 25 gusht 2015, të cilat janë bllokuar nga ana e Serbisë tash një vit.
“Ky takim vjen si rezultat i rritjes së angazhimeve të BE-së për zhbllokimin e proceseve zbatuese në dialogun e Brukselit”, thuhet në komunikatë.
Ja komunikata e plotë:
Ministrja Edita Tahiri ka udhëtuar sot në Bruksel
Prishtinë, 01 gusht 2016
Ministrja për dialog Edita Tahiri, ka udhëtuar sot për Bruksel për të marrë pjesë në raundin e ri të bisedimeve të thirrur nga Bashkimi Evropian.
Qëllimi i këtij takimi do jetë zhbllokimi i procesit të zbatimit të marrëveshjeve të arritura më 25 gusht 2015, të cilat janë bllokuar nga ana e Serbisë tash një vit. Ky takim vjen si rezultat i rritjes së angazhimeve të BE-së për zhbllokimin e proceseve zbatuese në dialogun e Brukselit.
Nesër në orët e mëngjesit, ministrja Tahiri do të zhvillojë takim me drejtoreshën për çështjet e Evropës Juglindore të Shërbimit të Jashtëm të BE-së, Angelina Eichhorst, ku do kërkojë që Serbia të heq bllokadat dhe zbatojë marrëveshjet për çështjen e kodit telefonik shtetëror për Kosovën, pavarësimin e KOSTT-it dhe largimin e barrikadës nga ura e Mitrovicës.
Ministrja Tahiri do të ritheksojë qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës se mos zbatimi i këtyre marrëveshjeve nga ana e Serbisë, flet qartazi për shkeljet serioze që pala serbe ia bënë marrëveshjeve të Brukselit të nënshkruar nga Kryeministrat e dyja shteteve dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, z. Mogherini.
Ministrja Tahiri po ashtu, do të rikonfirmojë qëndrimin se zbatimi i këtyre tri marrëveshjeve mund të hap rrugën e zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, ku si kusht kryesor është zhbërja e plotë e të gjitha strukturave të mbetura paralele të Serbisë në Kosovë, si dhe që ky Asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe as nuk do të jetë një nivel i tretë i qeverisjes, sepse këto kompetenca nuk i lejohen nga ligjet Kushtetuta e Kosovës, dhe se Marrëveshja bazohet në Ligjet e Kosovës.
Ministrja Tahiri do të njoftojë BE-në për zhvillimet pozitive në zbatimin e marrëveshjes për drejtësinë dhe vendosjen e sistemit unitar të drejtësisë në veri të vendit në muajin tetor, si dhe të një numri të madh të ministrive dhe agjencive qendrore, të cilat do të nisin punën së shpejti, dhe për të cilat po i bëjmë përgatitjet intensive.
Ministrja Tahiri do të ngritë shqetësimet në lidhje me disa veprime destruktive të Serbisë dhe pretendimet për ndërtime ilegale që po ndikojnë në ngritjen e tensioneve dhe pakënaqësive dhe që mund të jenë destablizuese për situatën e mirë të sigurisë që e kemi arritur me mund të madh në saje të dialogut të Brukselit. Ajo do të kërkojë nga BE-ja që të marr të gjitha masat e nevojshme për të ndalur Serbinë që të shkel parimet e dialogut për fqinjësinë e mirë, sepse në të kundërtën Qeveria e Kosovës do të detyrohet të kundërvihet me forcën e ligjit ndaj gjërave të paligjshme.
Gjatë ditës së nesërme pritet të ketë një raund të veçantë të bisedimeve për zbatimin e marrëveshjes për çështjet e telekomunikacionit përkatësisht kodit telefonik ndërkombëtar për Kosovën, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Në këto bisedime, ministrja Tahiri do të jetë e shoqëruar nga ekipi i ekspertëve të Republikës së Kosovës për çështjen e telekomunikacionit.
Për sa i takon çështjes së heqjes së barrikadës dhe revitalizimit të Urës së Mitrovicës, Ministrja Tahiri do të kërkojë që BE-ja të realizojë obligimin e vet për këtë çështje, sepse sipas marrëveshjes së 25 gushtit 2015 është e autorizuar të bëjë këtë veprim. /Telegrafi/