Site icon Telegrafi

Ministrja shqiptare e Jashtme: Marrëveshja Kosovë-Serbi ndikon në forcimin e stabilitetit në rajon

Ministrja shqiptare e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka në një deklaratë për mediat së bashku me homologun e saj të Maqedonisë së Veriut Bujar Osmanin, tha se kanë mbështetur marrëveshjen e 18 marsit mes Kosovës dhe Serbisë ndonëse ajo nuk është firmosur nga Serbia.

“Situata në rajon është bërë shumë më komplekse pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, por dhe për shkak të zhvillimeve të brendshme të rajonit, të ngarkuara me situata krizash dhe me stabilitet të brishtë. Në këtë kontekst ndava me kolegun vlerësimin tonë lidhur me dialogun Kosovë-Shqipëri”, tha ajo.

“Ne e mirëpritëm marrëveshjen e arritur në Ohër më 18 Mars, për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë edhe pse dokumenti nuk është nënshkruar prej tyre. Ne vlerësojmë rolin lehtësues të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut”, shtoi ministrja.

“Është një rastësi e mirë që marrëveshja kornizë e Ohrit është shkruar në të njëjtën godinë 22 vite më parë. Ne mendojmë se kjo marrëveshje do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe në prespektivën e tij Euroatlantike dhe më tutje konsolidimin institucional demokratik”, tha Xhaçka.

“Mbështesim angazhimin e BE dhe SHBA në zbatimin e aneksit të marrëveshjes. Në përfundim i urova kolegut tim Osmani dhe Maqedonisë së Veriut në drejtimin e OSBE-së dhe të Kartës së Adriatikut”, tha ministrja Olta Xhaçka. /Telegrafi/

Exit mobile version