Site icon Telegrafi

Ministrja Rizvanolli e kënaqur: Thirrjet për kursim të rrymës po japin efekt

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se thirrjet për kursim të energjisë elektrike po japin efekt, dhe ka falënderuar qytetarët për këtë.

Ministrja Rizvanolli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se efekti i thirrjeve për kursim e racionalizim të konsumit të energjisë elektrike veç ka filluar të vërehet.

“Sipas KOSTT, menjëherë të martën kulmi (peak) i konsumit (1.3 GW), që zakonisht ndodh gjatë ditës, është zhvendosur në orën 23:00”, ka shkruar Rizvanolli, transmeton Telegrafi.

Sipas saj, ky trend i kulmit të konsumit në ora 23:00 (gjatë tarifës së ulët) kur tarifa është 57% më e lirë, ka vazhduar edhe të mërkurën dhe të enjten!

Dy ditë më parë, ministrja Rizvanolli, në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin Albin Kurti, ka apeluar te qytetarët për kursim të energjisë dhe ka treguar se qysh më parë është themeluar task-forca në rast se Kosovën do ta prekte kriza energjetike.

Ministrja ka thënë se edhe KEK-u ka bërë maksimumin për të angazhuar blloqet që janë në dispozicion për të prodhuar energji.

“Pavarësisht se është future në funksion edhe një bllok i termocentralit Kosova A, as për së afërmi nuk mund të kompensojë humbjen e dy blloqeve të Kosovës B”. /Telegrafi/

Exit mobile version