Telegrafi

Ministrja Pula fton amerikanët për të investuar në energji

Në këtë Forum përveç delegacionit qeveritar nga Kosova pjesë e të cili është edhe ministrja Pula, të pranishëm ishin edhe ambasadorja e SHBA-së në OKB, Rosemary A. DiCarlo, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovës, Christofer Hall, Ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu dhe më se 200 investitorë amerikanë.
Ministrja Pula me këtë rast ka prezantuar potencialet e Kosovës për investime në sektorin e energjisë dhe minierave duke theksuar se vendi ka infrastrukturën e nevojshme ligjore dhe rregullator dhe mirëpret investitorët e jashtëm.

Ministrja Pula tha se të gjitha orientimet politike të Kosovës në fushën e energjetikës kanë për qëllim, sigurinë e furnizimit me energji, rritjen e efiçiencës së energjisë, zhvillimi i energjisë së ripërtërishme, futja e teknologjive ekologjikisht miqësore dhe mbrojtjen e mjedisit dhe integrimi në sistemin energjetik të BE-së.

Ministrja ka theksuar projektet konkrete në të cilat mund të përfshihen investitorët privatë janë Termocentrali "Kosova e Re", përfshirë rehabilitimin e TC “Kosova B” privatizimi i Shpërndarjes dhe Furnizimit të KEK zhvillimi i rrjetit të transmisionit të energjisë dhe ndërtimi i Hidrocentralit "Zhur".

Gjithashtu ministrja Pula ka thënë se mundësi tjera për investime janë edhe ndërtimi i HC-ve të vogla, zhvillimi i burimeve të ripërtërishme të energjisë.

Pas përfundimit të prezantimeve, investitorët potencialë kanë bënë pyetje panelit të sektorit të energjisë dhe minierave, pjesë e të cilit ishte ministrja Pula dhe drejtuesit e kompanive të kësaj fushe në Kosovë, si KEK, KOSTT, Trepça, të cilët u kanë dhënë përgjigje adekuate.

Duhet theksuar se interesimi i investitorëve për të investuar në këto fusha në Kosovë ishte i madh dhe ata u ndanë të kënaqur me informacionet e nevojshme të prezantuar nga delegacioni i Kosovës. /Telegrafi/