Telegrafi

Ministrja Pula bind serbët e Anamoravës të paguajnë faturat e energjisë

Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka–Pula, e shoqëruar nga ministri për Kthim dhe Komunitete Sasha Rashiq, kryetari i KK të Gjilanit Qemajl Mustafa, nënkryetari i KK-së Sergjan Jovanoviq dhe ud. i Drejtorit të KEK-ut, Arben Gjukaj kanë zhvilluar një takim me banorë të komunitetit serb të fshatit Stanishor dhe fshatrave përreth.

Qëllim i këtij takimi ishte diskutimi i gjetjes së një zgjidhje më të mirë që banorët serbë të fshatrave Stanishor, Kufc, Makresh, Strazhë dhe Draganc të hynë në sistemin e pagesës së energjisë elektrike, në mënyrë që KEK t’i kyç në rrjetin elektrik nga i cili i kishte shkyçur ditë më parë.

Përfaqësuesit e fshatit Stanishor para drejtuesve institucional e kanë cilësuar gjendjen energjetike në këtë vendbanim si alarmante për shkak të shkyçjes nga rrjeti elektrik që KEK i ka bërë këtij fshati para më shumë se një jave dhe disa fshatrave përreth të banuar me shumicë serbe.

Për këtë ata kanë kërkuar takim me përfaqësues të MEM-it, KK të Gjilanit dhe KEK-ut.

Ministrja Pula u ka thënë banorëve serbë se i vjen keq që ka ardhë te kjo gjendje, ndërprerja e energjisë elektrike për më shumë se një javë dhe për këtë ka ardhë të bisedojë me ta për të gjetur një gjuhë të përbashkët mirë të zgjidhjes së këtij problemi.

Ajo ka kërkuar që edhe banorët serbë ti përgjigjen pozitivisht vullnetit të mirë të Qeverisë, respektivisht Ministrisë së Energjisë duke pranuar leximin e njësorëve elektrik dhe fillimin e pagesës së rregullt të energjisë që nga janari 2009. Ndërsa KEK brenda ditës do të kyç këtë fshat në sistemin e energjisë.

Ndryshe ministrja Pula ka paralajmëruar banorët e fshatit Stanishor se nëse ata nuk fillojnë të paguajnë energjinë sipas marrëveshjes, ata sërish do të shkyçen nga rrjeti elektrik. Sipas saj, të gjithë konsumatorët e energjisë do të trajtohen në mënyrë të barabartë pavarësisht përkatësisë nacionale.

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Sasha Rashiq u ba bërë thirrje banorëve serbë të paguajnë energjisë elektrike duke u premtuar se rastet sociale do të trajtohen individualisht nga Qeveria. Ai ka falënderuar ministren Pula për vullnetin e mirë që ka treguar për të zgjidhur këtë problem dhe ka premtuar se resori që ai drejton do të jap kontributin e vet në këtë drejtim.

Ndërkaq, kryetari i KK të Gjilanit Qemajl Mustafa ka përshëndetur angazhimin e Qeverisë dhe ka premtuar ndihmën e komunës për të përmirësuar inkasimin në këto vendbanime. /Telegrafi/