Telegrafi

Ministrja Kusari – Lila në Forumin Global Ekonomik në Londër

Ministrja Mimoza Kusari – Lila adresoi çështjet që kanë të bëjnë me Reformat në të Bërit Biznes”, Investimet në Infrastrukturë Publike, Partneriteti Publiko Privat, si dhe Përkrahja e Sektorit Privat.

“Kompanitë tona nuk do të jenë të suksesshme, nëse ballafaqohen me procedura të gjata dhe të kushtueshme. Për këtë arsye, ne duhet të punojmë në eliminimin e barrierave, ku do të rritej konkurrenca dhe njëkohësisht do të stimuloheshin bizneset për të investuar në hulumtim dhe zhvillim”, theksoi ajo.

Përveç progresit të Kosovës në raportin e fundit të Bankës Botërore për të Bërit biznes, zëvendëskryeministrja Kusari – Lila përmendi Zonat e Lira Ekonomike, që ka për qëllim stimulimin dhe nxitjen e investimeve në Kosovë, duke iu ofruar investitorëve infrastrukturë të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarive afariste.

Para krerëve të lartë të shteteve të shumta, ministrja Kusari – Lila përmendi inovacionin si indikator i rritjes së produktivitetit, por edhe menaxhimit të kulturës moderne të ndërmarrësisë, e cila do t’u mundësojë të rinjve të aplikojnë njohuri në vend, duke pasur impaktin global. Për fund, ajo tha se punësimi i ri krijohet nga bizneset e reja “start-ups”, mirëpo rritja e qëndrueshme e punësimit vjen nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ekzistuese. “Për këtë arsye ne kemi identifikuar sektorët me prioritet të lartë potencial siç janë: procesimi i bizneseve për outsourcing, procesimi i ushqimit, sektori i energjisë dhe minierave etj”, theksoi ajo.

Ndërkaq, në sesionin e parë u diskutua për rëndësinë e biznesit ndërkombëtar dhe diplomacisë në tregti dhe promovim të investimeve, ku përfaqësues të lartë nga Kina, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe treguan praktikat më të mira nga vendet që vijnë, si dhe një debat i mirëfilltë pasoi në rolin e biznesit ndërkombëtar dhe diplomacisë në tregti dhe promovim të investimeve.

Më pas u mbajtën edhe një sërë sesionesh, ku u diskutua për sistemin gjyqësor, rolin diplomatik në promovimin e investimeve, roli i agjencioneve për Promovim të Investimeve në tërheqjen e investimeve, si dhe paneli për praktikat më të mira në tregti dhe promovim të investimeve.

Ky forum ka për qëllim inkurajimin e fokusit më të madh në praktikat më të mira në tregti dhe investime dhe shërben si rrjetëzim i rëndësishëm duke marrë parasysh që mbledh përfaqësues më të lartë të shteteve të shumta nga industritë të ndryshme.
Shtesë kësaj është një mundësi e mirë kur përfaqësues të lartë të shteteve prezantojnë ambientin për investime duke shërbyer si urë lidhëse për bashkëpunim të mëtutjeshëm. /Telegrafi/