Telegrafi

Ministrja Hoxha nënshkruan tri marrëveshje me Slloveninë

Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, ka nënshkruar në Lublanë tri marrëveshje me Ministrin e Drejtësisë së Sllovenisë, Goran Klemençiç, në lëmin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

Marrëveshjet e nënshkruara janë: Marrëveshja për Ndihmë juridike të ndërsjellë në çështjet penale, Marrëveshja për ekstradim dhe Marrëveshja për zbatimin e ndërsjellë të aktgjykimeve.

“Nënshkrimi i tri marrëveshjeve me Slloveninë, në lëmin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, është vazhdim i bashkëpunimit të shkëlqyer në mes të ministrive dhe dy shteteve tona”, theksoi ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha dhe shtoi se kështu, plotësohet edhe legjislacioni dedikuar fuqizimit të zbatimit të ligjit.

“Me Marrëveshjen bilaterale për Ndihmë juridike të ndërsjellë në çështjet penale do të rritet efikasiteti në bashkëpunim juridik mes dy vendeve, duke thjeshtuar procedurat e ekzekutimit të kërkesave për ndihmë juridike mes Republikës së Kosovës dhe Sllovenisë”, tha Hoxha.

Marrëveshja për Ekstradim, ka vazhduar ministrja, harmonizon dhe shpejton procedurat e ekstradimit të personave mes Kosovës dhe Sllovenisë. Ndërsa me Marrëveshjen për zbatimin e ndërsjellë të aktgjykimeve, sipas Hoxhës zbatohen vendimet e gjykatave të të dyja vendeve./Telegrafi/