Telegrafi

Ministrja Hoxha kërkon përkrahjen e Polonisë për liberalizimin e vizave

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka pritur një delegacion të lartë të Polonisë, të prirë nga zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Szymon Szynkowski vel Sek.

Ministrja ka theksuar rëndësinë e marrëdhënieve bilaterale me Poloninë dhe rëndësinë që ka mbështetja e Polonisë për procesin e integrimit në përgjithësi, thuhet në një komunikatë për media lëshuar nga Ministria e Integrimeve.

Siç thuhet në komunikatë, Hoxha kërkoi nga zyrtarët polakë, mbështetjen për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë.

“Qytetarët e Kosovës janë të vetmit të privuar nga lëvizja e lirë dhe kjo përbën edhe hendikep për fusha të rëndësishme për procesin integrues. Ne jemi të përkushtuar që gjithë procesi të rikonfirmoj të arriturat në vendin tonë por edhe zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, tha ministrja Hoxha.

Ajo ka thënë se fushata për liberalizim është duke vijuar me intensitet dhe qytetaret po informohen për të drejtat dhe obligimet që vijnë me liberalizimin e vizave.

Zëvendësministri  i Punëve të Jashtme të Polonisë theksoi rëndësinë që ka rruga integruese për Kosovën dhe shprehu mbështetjen e Polonisë për procesin e integrimit të Kosovës. /Telegrafi/