Telegrafi

Ministrja Hoxha dhe Richardson nga UNDP nënshkruajnë Memorandum mirëkuptimi

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha dhe Ulrika Richardson, nga UNDP nënshkruan sot Memorandum mirëkuptimi me të cilin u pajtuan për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm përmes çrrënjosjes së varfërisë, avancimit të gruas, qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit si dhe më shumë bashkëpunim efektiv në mes të Kosovës dhe UNDP-së si dhe lëmin e Partneritetit Global.

Ky Memorandum Mirëkuptimi, ndërmjet Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Ministrisë së Integrimit Evropian të Kosovës (MIE), ka për qëllim për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm përmes çrrënjosjes së varfërisë, avancimit të gruas, qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit si dhe më shumë bashkëpunim efektiv për zhvillim.

Ministrja Hoxha, e vlerësoi Memorandumin si shumë të rëndësishëm, duke pasur përparim në shumë sfera të agjendës sociale të BE-së dhe reformat shtetërore në fushat ekonomike, politike dhe zhvillimore të cilat e drejtojnë Kosovën më afër familjes evropiane.

“Ne jemi përkushtuar me legjislacionin tonë që të punojmë më efektivisht në identifikimin e çështjeve dhe plotësimit të zbrazësive për të arritur objektivat e stabilizim asociimit. Kjo nënkupton punën tonë në përfshirjen më të madhe sociale dhe zhvillimin njerëzor në Kosovë, sikurse janë çështjet për rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën publike dhe vendimmarrje; qasje në informacion; edukim cilësor; krijim të vendeve të punës, dialog dhe integrim ndërkulturor ndërmjet komuniteteve; respekt për të drejta të njeriut dhe sundim të ligjit”, theksoi Hoxha.

“Sikurse është në Kushtetutë, ne jemi të përkushtuar për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit, Të zotuar që Kosova të jetë shtet i mirëqenies ekonomike dhe i prosperitetit social”, theksoi Hoxha.

Ndërsa, Richardson, theksoi se nëpërmjet këtij Memorandumi, mbështet Ministrinë e Integrimit Evropian, në procesin integrues, duke u fokusuar në fusha me interes të përbashkët si zbatimi i MSA-së, Agjendën Evropiane të Reformave dhe reformat tjera të procesit integrues për një zhvillim të qëndrueshëm.

Ministrja Hoxha dhe Richardson vlerësuan lartë këtë memorandum, i cili fuqizon angazhimin e gjithanshëm të Kosovës për tejkalimin e sfidave në proceset integruese. /Telegrafi/