Telegrafi

Haradinaj-Stublla uroi Zvicrën: Ishte vendi i parë që mbrojti qëndrimin në KS, se për Kosovën nuk kishte zgjidhje përveç pavarësisë

Ministrja e re e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJ), Meliza Haradinaj-Stublla, me rastin e Ditës Kombëtare të Konfederatës Zvicerane, ka shprehur urimet për popullin zviceran.

Haradinaj-Stublla përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se lidhjet e Kosovës me shtetin zviceran i kanë themelet në kohët më të vështira të viteve 90-ta.

Sipas saj, ishte periudha ku rinia e Kosovës mërgoi në Zvicër, për t’i shpëtuar regjimit gjenocidal të Serbisë.

“Lidhjet tona të forta kanë themelet në kohën më të vështirë të viteve 90-ta, kur rinia e Kosovës mërgoi në Zvicër, për t’i shpëtuar regjimit gjenocidal të Serbisë së Millosheviqit. Atje gjetën strehë, punë, shkollim, e prosperitet, por nuk harruan të ndihmojnë Kosovën në çlirim, rindërtim, dhe shtetndërtim. Pikërisht kjo lidhje dhe kontribut gjithëpërfshirës – e bën Zvicrën ndër aleatët më të mëdhenj të Kosovës”, ka thënë ajo.

Ministrja Haradinaj-Stublla po ashtu theksoi se Zvicra ishte vendi i parë, që në Këshillin e Sigurimit kishte mbrojtur qëndrimin se për Kosovën nuk kishte zgjidhje tjetër përveç pavarësisë.

“Diaspora jonë atje, sot kontribuon në secilin aspekt të jetës publike, ekonomike, e zhvillimore të Konfederatës Zvicerane. Kosova mburret me arritjet e diasporës sonë atje, të cilët vazhdojnë të thellojnë më tej marrëdhëniet tona të veçanta. Ministria e Jashtme dhe e Diasporës së Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të thelluar e fuqizuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me Zvicrën në të gjitha aspektet bilateral”, ka shkruar ndër të tjera ministrja e MPJ-së, Meliza Haradinaj-Stublla. /Telegrafi/