Site icon Telegrafi

Ministrja Haradinaj-Stublla fillon sot vizitën zyrtare në Romë

Pas vizitave zyrtare në Holandë, Austri dhe Gjermani, ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, sot dhe të enjten do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Itali, me ftesë të homologut të saj, ministrit të Punëve të Jashtme, Luigi Di Maio.

Pas takimit që do të zhvillojë sot paradite me ministrin Di Maio, kryesiplomatja Haradinaj- Stublla pasdite do ta shoqërojë kryeministrin Avdullah Hoti në takimin që do të kenë me shefin e qeverisë italiane, Guiseppe Conte.

Ministrja Haradinaj-Stublla, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Romë, do të ketë një audiencë në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Komunitetin të kryesuar nga Piero Fassino.

Vizitën e saj të parë zyrtare në Itali, shefja e diplomacisë kosovare do ta përmbyllë me takimin që do të zhvillojë me ministrin italian të Mbrojtjes, Lorenzo Guerini.

“Temat e diskutimit do të variojnë nga takimi në takim, por në secilin prej tyre, përveç raporteve bilaterale të shkëlqyera dhe çështjeve me interes për të dyja vendet, Ministrja Haradinaj-Stublla do të diskutojë për marrëdhëniet ndërfqinjësore dhe zhvillimet e përgjithshme politike në Ballkan, aspiratën euroatlantike të Kosovës, si dhe do të potencojë nevojën për t’i dhënë fund Liberalizimit të Vizave për Kosovën, si dhe finalizimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi”, thuhet në njoftim.

Kryediplomatja e Kosovës Haradinaj-Stublla të hënën dhe të martën realizoi vizitën e saj të parë zyrtare në Gjermani, me ftesë të homologut gjerman, ministrit Federal të Punëve të Jashtme Heiko Maas. /Telegrafi/

Exit mobile version