Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës ka përshëndetur marrëveshjen historike të arritur midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), ndërsa ka thënë se edhe marrëveshja përfundimtare Kosovë – Serbi duhet të arrihet sa më parë, me ndërmjetësimin e SHBA-ve.
Ministrja Meliza Haradinaj-Stublla ka thënë se kjo marrëveshje trepalëshe është hap i madh përpara për krijimin e energjive të reja që do të sjellin ndryshime të mëdha në proceset e paqe bërjes dhe zhvillimit në Lindjen e Mesme.
“Përshëndesim marrëveshjen historike për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe të ndërmjetësuar nga Presidenti Trump”, ka thënë ajo.
Sipas saj, marrëveshja historike e arritur nën ndërmjetësimin dhe lidershipin amerikan është dëshmi e fuqishme e përkushtimit të liderëve të Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, për paqe dhe zhvillim.
Ministrja Haradinaj – Stublla, po ashtu ka thënë se marrëveshja përfundimtare Kosovë – Serbi duhet të arrihet sa më parë, me ndërmjetësimin e SHBA-ve. /Telegrafi/