Site icon Telegrafi

Ministrja Hajdari vendos masa mbrojtëse në importin e disa mallrave nga Serbia

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, ka marrë vendim për masa mbrojtëse anti-damping ndaj dy llojeve të produkteve që importohen nga Serbia.

Sipas vendimit të publikuar nga MINT-i, masa mbrojtëse anti-damping prej 0.04 centë për njësi është ndërmarrë për importin e bllokut standard me përmasa 19x19x25 nga Serbia, ndërsa 0.04 centë për kilogram në importin e të gjitha llojeve të koncentratit të kafshëve dhe shpezëve.

Vendimi bëhet e ditur se është marrë më 22 prill 2022, ndërsa është publikuar në faqen zyrtare të ministrisë sot, 29 prill, shkruan Telegrafi.

Ministrja sqaron se vendimi është marrë pas hetimeve të bëra në treg nga Departamenti i Tregtisë, ku është vërtetuar se këto mallra në tregun e Kosovës shiten me çmim më të ulët sesa në tregun e Serbisë. Dhe, këto çmime thuhet se kanë ndikuar në rritjen e importit nga Serbia e rrjedhimisht kanë dëmtuar prodhuesit vendorë në Kosovë.

Masa anti-damping vendoset atëherë kur një kompani eksporton në vendet e Bashkimit Evropian me çmime më të ulëta se vlera normale e produktit (kostoja e produkti apo çmimi i brendshëm), duke rritur mundësinë e zgjerimit në tregun evropian dhe duke nxjerrë jashtë konkurrencës firmat e brendshme prodhuese./Telegrafi/

 

Exit mobile version