“Bllokimi i organizatës rajonale CEFTA rrezikon të dështojë Procesin e Berlinit dhe gjithashtu të parandalojë më tej në bashkëpunimin tonë rajonal”, kështu ka thënë ministrja e shtetit Gjerman për Evropë dhe Klimë Anna Luhrmann, e cila ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të angazhohet sa më shpejtë në një zgjidhje që lejon të ecet përpara.
Në hapjen e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë, Luhrmann ka thënë se për të punuar së bashku për të ardhmen e gjelbër dhe të begatë të Kosovës brenda Bashkimit Evropian, është e nevojshme që Kosova të jetë konstruktive për të gjitha çështjet rajonale.
“Ne gjithashtu do ta forcojmë Kosovën si një vend investimi për kompanitë gjermane dhe të tjera ndërkombëtare të etura për të investuar këtu në tranzicionin energjetik dhe klimatik….Së bashku do të punojmë për të ardhmen e gjelbër dhe të begatë të Kosovës brenda Bashkimit Evropian. Tani, për ta bërë këtë, ne kemi nevojë edhe për një Kosovë që është konstruktive për të gjitha çështjet rajonale…Dhe për ta sjellë Kosovën më afër BE-së, ky lloj bashkëpunimi rajonal është kyç. Aktualisht që siç e dini bashkëpunimi dhe organizata e rëndësishme rajonale CEFTA është ende e bllokuar. Manuel Sarrazin po punon shumë për të zhbllokuar CEFTA-n dhe po përpiqet të gjejë zgjidhjen më të mirë të mundshme për Kosovën. Ai ka mbështetjen e plotë të qeverisë gjermane, sepse ne ndjejmë se një bllokadë e vazhdueshme rrezikon të dështojë procesin e Berlinit dhe gjithashtu të parandalojë më tej në bashkëpunimin tonë rajonal. Prandaj, ne gjithashtu i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që tani të angazhohet shpejt në një zgjidhje që na lejon të ecim përpara dhe të afrohemi së bashku, dhe gjithmonë mbani mend se Gjermania është mikja e ngushtë e Kosovës dhe do të qëndrojë gjithmonë pranë jush”, tha ajo.
Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka deklaruar se përgjatë viteve të fundit së bashku me partneret kanë bërë mjaftë përparime në rrugëtimin e tranzicionit energjetik e drejt një ekonomie, e shoqërie më të qëndrueshme.
“Përgjatë viteve të fundit kemi bërë shumë përparime nga njëra anë në ndërtimin e kapaciteteve të reja, dhe fillimin e projekteve të reja, ku shteti gjerman ka qenë partner kyç si dhe BE-ja. Nga ana tjetër e kemi vënë efiçiencën e energjisë si top prioritet të diskutimit dhe të zbatimit të masave si asnjëherë më parë duke u bërë shembull për gjitha vendet e rajonit… Dua të veçoj një aspekt të veçantë këtë vit që kemi bërë përpjekje shtesë që qytetarët në gjithë Republikën e Kosovës duke përfshirë në katër komunat veriore, ku nga 1 janari tani ka filluar të paguhet energjia elektrike, që të arrihet eficienca atje, që të arrijmë tek të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës në mënyrë që të gjithë të përfitojnë nga masat e efiçiencës të energjisë, me qëllim që në njërën anë të ulim konsumin, mirëpo nga ana tjetër edhe të rrisim komforin e gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Rizvanolli.
Në anën tjetër, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se sfide kryesore për vendin mbetet adaptimi në ndryshimet klimatike, për çfarë ka thënë se qeveria bashkë me ministrinë janë duke punuar në këtë drejtim.
“Kjo javë për këtë vit do të ketë fokusin kryesor tek ndryshimet klimatike…Po ashtu nga ana tjetër, sfidë kryesore për vendin tonë mbetet adaptimi në ndryshimet klimatike, shpeshherë për dikë mund të duket që ne duhet të kontribuojmë diçka që ta shpëtojmë boten, dhe shohim vetën të vogël dhe të pafuqishëm për ketë, por në anën tjetër ndryshimet klimatike po ndikojnë, ato po i përjetojmë me zjarret nëpër pyje, me vërshimet, me mungesë të ujit të pijes dhe për ujitje, dhe krejt kjo do të jetë gjithnjë e me theksuar, për shkak se Kosova është pjese e zonës mjaft të ndishme, që është zonë e Mesdheut që do të ndikohet shumë nga ndryshimet klimatike. Dhe është detyrë e jona që të punojmë në adaptim, që nënkupton që të jemi të gatshëm të përballemi edhe me vërshimet, zjarret dhe këto janë projekte të shumta që tashmë qeveria jonë, ministra është duke punuar në to, duke bërë nga njëra anë planin për rrezikshmëri nga vërshimet, por nga ana tjetër edhe krijimin e rezervave të ujit për të cilat Kosova është mjaft në krizë, dhe do të jetë në krizë në vitet që vinë”, tha Aliu.