Telegrafi

Ministrja Gexha-Bunjaku diskuton me ambasadorin e Italisë për pandeminë COVID-19

U. d. ministrja e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Dafina Gexha Bunjaku ka pritur sot në takim njoftues Ambasadorin e Republikës së Italisë në Kosovë, Antonello De Riu.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se, në këtë takim është biseduar për pandeminë COVID-19, procesin e vaksinimit dhe mbështetjen që Kosovës i kanë dhënë partnerët ndërkombëtarë në ballafaqimin me sfidën e pandemisë.

Në këtë drejtim, Ministrja Gexha Bunjaku ka falënderuar shtetin e Italisë për mbështetjen konkrete që i ka ofruar sistemit shëndetësor në Kosovë në vazhdimësi.

“Ministrja Gexha Bunjaku dhe Ambasadori De Riu janë pajtuar për fuqizimin e projekteve të përbashkëta në shëndetësi dhe, gjithashtu, kanë theksuar rëndësinë e vaksinimit dhe zbatimin e masave kundër COVID-19 me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/