Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla gjatë vizitës në Abu Dhabi ka ftuar afaristët e këtij vendi që të investojnë në Kosovë.
Sipas njoftimit të MPJD-së, Gërvalla gjatë takimit me kryetarin e Odës Ekonomike, Abdullah Mazrui ka prezantuar potencialet ekonomike të vendit tonë.
“Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla u takua sot me kryesuesin e Odës së Ekonomisë dhe Tregtisë të Abu Dhabit, Abdullah Mazrui me të cilin diskutoi gjerësisht për mundësi bashkëpunimi dhe investimi në industri të ndryshme në Kosovë”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Po ashtu, në atë takim është theksuar nevoja për thellimin e bashkëpunimit me sektorin ekonomik ndërmjet dy vendeve.
“Ministrja e njoftoi delegacionin pritës rreth potencialit të jashtëzakonshëm që qytetarët e Republikës së Kosovës po e ofrojnë përmes punës së mrekullueshme në shumë sektorë. Ajo theksoi nevojën për thellim të bashkëpunimit mes sektorit privat në bashkëpunim me qeveritë e të dy vendeve si ndërmjetësuese dhe fuqizuese të investimeve të reja”, vijon njoftimi.
Në fund, ajo ka shprehur gatishmërinë që qytetarët e Kosovës kanë për të punuar së bashku në ngritjen e kapaciteteve dhe nivelit të ekonomisë e tregtisë. /Telegrafi/