Ministrja e re franceze e Arsimit ka shkaktuar ‘skandal’ në qeverinë e re të Gabriel Attal, pas akuzave se nuk ka dhënë arsyen e duhur për regjistrimin e fëmijëve të saj në shkolla private, shkruan Guardian.
Vetëm disa ditë pas emërimit të Amélie Oudéa-Castér, ajo po përballet me thirrjet për të dhënë dorëheqjen pasi pretendoi se “frustrimi” i saj për mungesën e mësuesve në shkollën shtetërore të djalit të saj të madh, ishte arsyeja që ajo e transferoi atë në një shkollë private.
Megjithatë, një ish-mësues i djalit të ministres tha se Oudéa-Castéra dhe burri i saj ndryshuan shkollën sepse institucioni refuzoi ta regjistronte djalin në vitin e kërkuar.
“Personalisht ndihem i sulmuar. Nuk kam munguar, edhe sikur të ishte kështu, sigurisht që do të ishte siguruar një zëvendësim”, tha mësuesja tashmë në pension nga ajo shkollë, i cili dëshiron të mbetet anonime.
Gazetari Nicolas Poincaré, djali i të cilit ndoqi të njëjtën shkollë shtetërore, e mbështeti ish-mësuesin, duke thënë për televizionin francez: “Në tetë vjet nuk ka pasur mungesë ku mësuesi nuk është zëvendësuar”.
Sot përfaqësuesit e sindikatës së mësuesve kërkuan një falje zyrtare nga Oudéa-Castéra, portofoli i së cilës përfshin jo vetëm arsimin, por edhe sportin dhe organizimin e Lojërave Olimpike të këtij viti në Paris.
Oudéa-Castéra mohoi artikujt e gazetës Libération, e cila zbuloi aferën, dhe bëri thirrje për t’i dhënë fund “sulmeve personale” kundër saj.
“Nuk dua të shkoj më tej në sferën e jetës personale dhe private. Ka shumë sulme të cilave jam përpjekur t’u përgjigjem sa më sinqerisht. Duhet ta mbyllim këtë kapitull”, tha ministrja.
Oudéa-Castéra, e cila ka tre fëmijë, fillimisht tha se e zhvendosi fëmijën e saj të madh në një shkollë private pas gjashtë muajsh në një shkollë shtetërore, sepse ajo dhe burri i saj, Frédéric, kryetari i grupit farmaceutik Sanofi, ishin të frustruar nga “ngarkesat e orët e humbura” për shkak të mungesës së pretenduar të mësuesve.
“Në një moment ne u lodhëm, si prindërit e mijëra familjeve që vendosën të kërkonin një zgjidhje tjetër”, tha ajo në komentet që tërhoqën një breshëri kritikash, derisa shtoi se “besonte në shkollat publike”.
Shkolla Stanislas de Paris, ku ata zhvendosën djalin dhe dy fëmijët e tyre më të vegjël, është një shkollë e famshme private ku frekuentojnë, ndër të tjera, Princi Albert I i Monakos dhe gjenerali Charles de Gaulle. /Telegrafi/