Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Vlora Dumoshi ka shfrytëzuar rrjetet sociale për të shkruar rreth suksesit të sotëm të xhudistëve tona, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.
Gjatë ditës së sotme, Kosova është reprezentuar në mënyrë të përkryer nga dy xhudistet tona, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova në Grand Slamin e Parisit në Francë.
Distria arriti ta fitojë medaljen e artë në kategorinë deri në 52 kilogramë, ndërsa Nora fitoi të bronztën në kategorinë deri në 57 kilogram.
Ky triumf i vajzave kosovare ka bërë krenare ministren e sportit, Vlora Dumoshi, e cila ka shfrytëzuar profilin e saj në Facebook për të shkruar rreth këtij suksesi.
Postimi pa ndërhyrje i Vlora Dumoshit:
Sportistët tanë po i japin çdo ditë e më shumë nder dhe vlerësim ndërkombëtar vendit tonë, duke u bërë zëri më pozitiv i Kosovës dhe shembull frymëzues për rininë tonë.
Sukseset e sotshëm të Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës, janë dëshmi se shteti ynë po rritet dhe Kosova tashmë ka zënë vend meritor në hartën e sportit ndërkombëtar.
Si ministre, jam e përkushtuar që të punoj për të përmirësuar kushtet dhe infrastrukturën që sportistët tanë të mund të zhvillohen sa më mirë.
/Telegrafi/