Telegrafi

Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami merr detyrën e re

Ministri i deritanishëm i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi i ka dorëzuar sot detyrën ministres së re të këtij dikasteri, Hykmete Bajrami.

Me këtë rast Bytyqi e ka uruar Bajramin për postin e ri duke i thënë që sistemi arsimor ka shumë probleme, por pavarësisht kësaj, ai beson se do të ketë sukses.

“Shpresoj që do ia dilni sepse sistemi arsimor ka probleme dhe do shumë angazhime dhe padyshim që duhet një angazhim politik e të përgjithshëm. Ka shumë sfida dhe shumë punë, shpresoj që do t’ia dilni. Po ashtu do ju prezantojmë edhe disa prej dosjeve që duhet punuar ende”, tha Bytyqi.

Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami deklaroi se situata në arsim nuk është e mirë, mirëpo do të punojë shumë dhe do të përpiqet që të kthehen në institucionet evropiane “ENQA” dhe EQAR”.

“Ne e marrim me shumë përgjegjësi sepse e di që situata në arsim nuk është aspak e mirë, dhe duhet të punohet shumë dhe do të bëjmë shumë përpjekje që t’i kthejmë dy institucionet evropiane ‘ENQA’ dhe ‘EQAR’ dhe në të gjitha nivelet t’i zbatojë ligji i arsimit”, tha Bajrami.

Hykmete Bajrami është deputete e LDK-së, ndërsa më parë ka qenë ish-ministre e Tregtisë.