Site icon Telegrafi

Ministrja e Arsimit dhe ministri i Kulturës telegram ngushëllimi për vdekjen e Nimanit: Humbje e madhe për vendin

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku i kanë dërguar telegram ngushëllimi familjes Nimani pas vdekjes së akademikut Shyqri Nimani, ndërsa theksuan se vdekjes e profesorit është humbje e madhe për vendin.

Në telegramin e ngushëllimit të ministres Nagavci thuhet se ndarja fizike e profesor Shyqri Nimani, i njohur në të gjitha hapësirat shqiptare përmes artit dhe punës së dëshmuar si pedagog, është një humbje e madhe për vendin e në veçanti për komunitetin e artistëve, të cilit i përkiste.

“Me dhimbje të madhe morëm lajmin për ndarjen nga jeta të piktorit, dizenjuesit grafik dhe pedagogut, Prof. Shyqri Nimani, i cili bëri kaligrafimin me dorë në pergamen të Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008.

Me përkushtim e vullnet të madh profesor Nimani ja kushtoi jetën artit, kulturës, shkencës dhe arsimit, për t’i lënë historisë së Kosovës vepra të mëdha.

Ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në arsimin e lartë duke bartur njohuritë dhe përvojën e vet tek studentët.

Në emër të Ministrisë së Arsimit, ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, miqve e bashkëpunëtorëve!”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

Telegram ngushëllimi familjes Nimani i ka dërguar edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

“Brenda dy ditësh humbëm dy personalitete të veçanta të kombit, Arsim Fehmiun dhe Shyqri Nimanin, profesionistë e veprimtarë që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në fushat e arsimit, artit e sportit.

Vepra dhe kontributi i Fehmiut dhe Nimanit, sikurse deri tash, do të vazhdojnë të jenë udhërrëfyes edhe për brezat e ardhshëm. Trashëgimia e tyre do të kultivohet me kujdes e përkushtim institucional.

Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e respektuara Fehmiu dhe Nimani, si dhe për kolegët, komunitetet përkatëse e gjithë qytetarët.

Lavdi jetës dhe veprës së Arsim Fehmiut dhe Shyqri Nimanit”, shkruan Çeku. /Telegrafi/

Exit mobile version