Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, me ftesë të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) mori pjesë në konferencën ndërkombëtare për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme. Kjo konferencë është organizuar nga OECD në bashkëpunim me Komisionin Evropian si me dhe organizata dhe institucione tjera ndërkombëtare, si: Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Fondacioni Evropian për Trajnim (ETF).
Gjatë konferencës u shpalos edhe raporti më i ri hulumtues “Indeksi i Politikave për NVM-të për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2016.” Raporti analizon punën e bërë nga qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqia në drejtim të zhvillimit dhe implementimit të politikave që kanë të bëjnë më përmirësimin e ambientit të biznesit për NVM-të, në përputhje me Aktin Evropian për Biznes të Vogël.
Ministrja Bajrami, në fjalën e saj, theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës po punon me përkushtim në adoptimin e politikave stimuluese në mënyrë që të krijojë një ekosistem të përshtatshëm që do të ndihmojë në fuqizimin e NVM-ve dhe rritjen së fuqisë së tyre konkurruese e cila tashmë pas fillimit të implementimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim me BE-në vjen në shprehje edhe më shumë.
Ministrja Bajrami vuri në pah se deri tani Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në shumë dimensione dhe kjo, nënvizoi ajo, konfirmohet edhe në raportin më të ri të OECD-së, i cili u publikua sot.
Bajrami nënvizoi se Qeveria e Kosovës ka kompletuar një pako të rëndësishme dokumentesh strategjike, si: Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2016-2021, Programi i Reformave Ekonomike, Plani për Zbatimin e MSA-së 2016-2020, etj., në të cilat dokumente zhvillimi dhe fuqizimi i NVM-ve zë një vend parësor.
Ajo shtoi po ashtu se Qeveria e Kosovës po punon me intensitet të lartë në zbatimin e planit të saj të reformave të cilat mbulojnë një gamë të gjerë të aktiviteteve dhe masave në të cilat janë shënuar rezultate të mira, si: përmirësimi i legjislacionit, përmirësimi i infrastrukturës fizike dhe asaj të cilësisë, mënjanimi i barrierave administrative dhe atyre tregtare, liberalizimi i importit për makineritë dhe linjat prodhuese, lehtësimi i qasjes në financa për NVM-së përmes themelimit të Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive, thellimi i dialogut publik-privat, rritja e efikasitet të administratës, qeverisja elektronike, etj.
Në margjina të konferencës, ministrja Bajrami zhvilloi takime bilaterale me delegacione të larta të shteteve pjesëmarrëse dhe organizatave të rëndësishme ndërkombëtare, ku u fol për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në funksion të përmirësimit të ambientit të gjithëmbarshëm të biznesit në Kosovë.
Sa i përket raportit hulumtues “Indeksi i Politikave për NVM-të për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2016” foli edhe drejtori i përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, Besian Mustafa. Mustafa mirëpriti lansimin e këtij raporti dhe tha se Qeveria e Republikës së Kosovës i merr seriozisht gjetjet dhe rekomandimet e dala nga ky raport hulumtues.
Ai shtoi se rezultatet e hulumtimit na shërbejnë si udhërrëfyes i mirë i cili na ndihmon që t’i shtyjmë përpara reformat tona strukturore të cilat kanë për qëllim përmirësimin e ambientit të të bërit biznes dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte në vendin tonë. /Telegrafi/