Site icon Telegrafi

Ministrja Bajrami mori pjesë në inaugurimin e selisë së re të fabrikës “Kalaja Epox”

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në hapjen e fabrikës “Kalaja Epox” në Shtime, që merret me përpunimin e rrëshirave epokside.

Në fjalën e saj, ministrja Bajrami tha se është kënaqësi të marrësh pjesë në përurimin e fabrikave dhe në këtë rast të kësaj fabrike që merret me përpunimin e rrëshirave epokside. Ministrja shtoi se gjatë këtij viti janë përuruar disa fabrika dhe janë promovuar shumë biznese, gjë që tregon rezultatin e punës së institucioneve të Kosovës për të krijuar një ambient më të mirë për bizneset, si dhe duke krijuar vende të reja të punës.

Ministrja Bajrami potencoi:“Ne si Ministri e Tregtisë dhe Industrisë ndjehemi mirë se kemi arritur të krijojmë përmes bashkë-investimit Zonën Ekonomike në Shtime për të mbështetur bizneset e kësaj ane.”

“Ne kemi politika fiskale shumë të mira, taksa të ulëta, jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm me bizneset për ta përmirësuar ambientin e biznesit, kemi qasje në tregun e BE-së pa taksa, dhe kemi hyrë në fazën e dytë të përgatitjes së pakos fiskale me të cilën do t’i lirojmë nga taksa doganore të gjitha produktet të cilat hyjnë në procesin e prodhimit”, tha ministrja Hykmete Bajrami.

Ajo i uroi suksese pronarëve të kësaj fabrike në punën e tyre dhe tha se qeveria e vendit do të mbetet e përkushtuar t’i fuqizojë bizneset. /Telegrafi/

Exit mobile version