Zv. ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Dejan Pavleski, sot në Institutin Special, Demir Kapija mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët mbi procesin e deinstitucionalizimit në sektorin social, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Në fjalim të tij, zv. ministri Pavleski theksoi se me procesin e decentralizimit disa nga shërbimet në sferën sociale u transferuan në nivel lokal dhe në këtë drejtim deinstitucionalizimi mund të jetë një vazhdim i këtij procesi në të cilin përdoruesit e shërbimeve do të mund që në mënyrë sa më të mirë të marrin shërbime.
“Ministria e vetëqeverisjes lokale do të japë mbështetje maksimale në këtë proces përmes bashkëpunimit me ministrinë kompetente dhe mbi të gjitha me komunat, sepse në fund, ajo që ne duhet të sigurojmë së bashku janë kushte më të mira për jetesë për të gjithë qytetarët”, tha Pavleski. /Telegrafi/