Site icon Telegrafi

Ministria e Tregtisë: Prej shtatorit kemi pranuar vetëm 4 ankesa për rritje të çmimeve

Ngritja e çmimeve të jashtëzakonshme të produkteve të tjera bazike ka vështirësuar jetën e qytetarëve, për të cilët shteti ende nuk ka bërë sa duhet për mbrojtjen e konsumatorëve.

Kështu ka thënë Dardan Abazi, hulumtues i lartë në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP) në tryezën e diskutimit “Ngritja e çmimeve në treg dhe mbrojtja e konsumatorit”.

Madje Abazi theksoi se ankesat e konsumatorëve janë të shumta për rritje të çmimeve të pa paralajmëruar nga tregtarët. Siç u shpreh ai, në disa raste ka edhe dyshime për këto shtrenjtime për marrëveshje kartel.

Çuditërisht numri i ankesave nga konsumatorët që janë adresuar në Ministri të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) është tejet i ulët.

Sipas kësaj ministrie nga janari deri në shtator janë paraqitur vetëm 19 ankesa, derisa nga shtatori e deri tash kur janë rritë çmimet janë jo më shumë se 4 ankesa nga konsumatorët, raporton KP.

Lexo po ashtu Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, Kosova e dyta në rajon

Këtë numër të pakët të ankesave, udhëheqësi i Departamentit të Tregtisë, Zef Dedaj ka thënë se qytetarët duket se janë të vetëdijshëm që këto rritje të çmimeve kanë ardhur si pasojë e importit të mallrave.

Dedaj në këtë tryezë theksoi se është evidente se ka rritje të çmimeve, të cilën ngritje ai e quajti si shqetësuese, por sipas tij kjo po diktohet nga importi i mallrave nga jashtë.

“Nëse ne po importojmë mallra kjo nënkupton që ne po importojmë edhe rritje të çmimeve. Fatmirësisht për rrymën nuk ka rritje. Sa i përket rritjes së çmimeve të karburanteve dhe të tjera kjo ka ndodhur dhe është vërtetuar nga ASK. Gjithsesi se është shqetësuese rritje e çmimeve për produkteve bazike, që bëjnë pjesë buka, vaj ushqimor, mishi dhe të tjerët”, tha ai.

Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi tha se kriza energjetike dhe rritja e çmimeve të rrymës ka prekur më së shumti bizneset.

Ai ka inkurajuar bizneset për rritjen e pagave për punëtorët, derisa theksoi se disa kompani veç janë duke bërë një gjë të tillë. /Telegrafi/

Exit mobile version