Ministria e Shëndetësisë ka reaguar ndaj raportimeve se të njëjtit janë përgjegjës që QKUK është furnizuar me gazin medicinal ‘N2O’.
Sipas MSH-së, QKUK është institucioni që ka lidhur kontratën me operatorin ekonomik për furnizim me gazin, për të cilat dyshohet se mund të ketë qenë shkaktari i vdekjeve të cilat po hetohen në këtë qendër.
“Ministria e Shëndetësisë dëshiron të sigurojë edhe një herë opinionin se që prej ditës së parë të marrjes së mandatit të tij në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministri Uran Ismaili u ka dhënë mbështetje të plotë organeve kompetente për zbardhjen e të vërtetës lidhur me vdekjet e fundit të dyshimta në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”, thuhet në reagimin e MSH, transmeton Telegrafi.
“Ministri Ismaili ka urdhëruar Inspektoratet që të kryejnë hetime të pavarura dhe të detajuara lidhur me vdekjet e dyshimta të raportuara në QKUK, përmes një procesi transparent për publikun për çdo veprim të ndërmarrë, duke bërë të ditur, gjithashtu, se nuk do të tolerohet neglizhenca apo çfarëdo veprimi tjetër, që e ndalë progresin në shëndetësi”.
“Ministria e Shëndetësisë dëshiron të shpjegojë opinionin se kjo Ministri nuk është autoriteti që e ka kontraktuar gazin medicinal ‘N2O’, i cili përdoret në sallat operative të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, siç është raportuar gabimisht sot në disa media, pasi që QKUK është institucioni që ka lidhur kontratën me operatorin ekonomik për furnizim me gazin e shumë përmendur”.
“Duke dashur që të gjitha palët të jënë të fokusuara në ushtrimin e përgjegjësive të tyre të plota dhe jo të merren me çështje tjera, Ministri Uran Ismaili shpreh edhe një herë përkushtimin e tij për të mbështetur hetimet e plota rreth rastit të vdekjeve të dyshuara në QKUK, por edhe në çfarëdo institucioni tjetër qe do të sjell zbardhjen e rastit”, thuhet në reagimin e Ministrisë. /Telegrafi/