Site icon Telegrafi

Ministria e Shëndetësisë sqaron lidhur me transportin e kufomave nga COVID-19

Ministria e Shëndetësisë (MSh) njofton se Qendra Operative Emergjente e MSh-së (QOE) lidhur me COVID -19 nuk bën transportin e kufomave nga Covid-19, por e bën ndërlidhjen e shërbimeve të ndryshme të përfshira në menaxhimin e situatës rreth Covid-19.

“Qendra Operative Emergjente e MSh-së, në çdo rast të vdekjeve të konfirmuara nga Covid-19 dhe të dyshuara në Covid-19, duhet të informohet nga SHSKUK (QKUK dhe spitalet e përgjithshme), të cilat janë të obliguara që deri në kryerjen e procedurave të varrimit, kufomën ta dërgojnë në morg”, thuhet në njoftimin e MSh, përcjell Telegrafi.

Sipas MSh, i tërë procesi monitorohet nga Inspektorati Sanitar dhe Policia e Kosovës.

“Kjo është procedura për rastet e vdekjeve të konfirmuara me Covid-19, derisa për rastet e vdekjeve të dyshuara në Covid-19, dhe për të cilat duhet pritur rezultati nga IKSHPK, kufomat dërgohen në morg deri në konfirmim të rezultatit laboratorik”.

“Prandaj, MSh kërkon nga të gjitha institucionet që të jenë në nivel të detyrës dhe të zbatojnë me përpikëri përgjegjësitë e tyre të ndërlidhura me Covid-19, përfshirë këtu edhe menaxhimin e kufomave në mënyrë korrekte dhe me dinjitet”.

Më tej në sqarimin e MSh, që vjen si një reagim ndaj një rasti të kufomës në Spitalin e Mitrovicës, thuhet se “sa i përket rastit të kufomës në spitalin e Mitrovicës (të datës 17.11.2020), Qendra Operative e MSh-së është informuar e fundit, ndërsa është dashur të informohet e para nga spitali ku pacienti ka ndërruar jetë”.

“Megjithatë, QOE, pas marrjes së informatës nga Qendra Operative e MPB-së menjëherë e ka adresuar rastin. QOE ka përgjegjësinë për koordinimin e procedurave të varrimit, por jo për menaxhimin e kufomave brenda institucioneve shëndetësore, sikur i është adresuar në media”, thotë MSh.

“Neglizhencat në menaxhim, MSh i ka adresuar në SHSKUK nga e cila është kërkuar që të ndërmerren masa për moszbatim të procedurave dhe rregullave”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version