Telegrafi

Ministria e Shëndetësisë rikujton procedurat për vaksinimin kundër COVID-19

Në Kosovë nga kjo javë ka filluar vaksinimi i qytetarëve në masë më vaksinën kundër COVID-19. Me qëllim të mbarëvajtjes së procesit, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje sërish qytetarëve që në qendrat e vaksinimit të paraqiten vetëm pasi të kenë marrë thirrjen apo njoftimin për vaksinim, sipas termineve të përcaktuara përmes platformës eKosova.

Bazuar në Planin e Veprimit për vaksinimin e qytetarëve në masë me vaksinën kundër COVID-19 dhe në Planin Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19 (faza II) , vaksinimi po vazhdon me kategorinë e personave të moshës mbi 65 vjeçare, personat më sëmundje kronike, profesionistët shëndetësor dhe kategoritë e tjera të parapara në fazën e dytë të vaksnimit, përfshirë forcat e sigurisë, të ndërlidhura me menaxhimin e COVID-19 si dhe mësimdhënësit.

Ministria tërheq vëmendjen se cilado kategori e qytetarëve që merr thirrjen për vaksinim, me rastin e paraqitjes në qendrën e vaksinimit në komunën e tij, të ketë me vete dëshmi për kategorinë të cilës i përket:

• Personat mbi moshën 65 vjeçare, duhet ta dëshmojnë këtë përmes letërnjoftimit ose ndonjë dokumenti valid;

• Të sëmurët kronikë – përmes dëshmive shëndetësore;

• Forcat e sigurisë – përmes kartës që i identifikon se i përkasin shërbimit përkatës (Policisë së Kosovës apo Forcës së Sigurisë së Kosovës);

• Personeli shëndetësor dhe mësimdhënësit-përmes kartës (ID) të punës ose dokumenti tjetër që konfirmon se punojnë në këta dy sektorë.

Nëse të njëjtit nuk i paraqesin këto dokumente/dëshmi në qendrat e vaksinimit, nuk do të vaksinohen.

MSh u bën thirrje sërish qytetarëve që të shfrytëzojnë platformën eKosova për të aplikuar për marrje të vaksinës kundër COVID-19 dhe të ndjekin udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me vaksinimin si proces.

Apliko/Vaksinohu!

https://ekosova.rks-gov.net/

Bashkë ia dalim!

Të martën në Kosovë ka nisur fushata e vaksinimit masiv kundër coronavirusit. Deri më tani të paktën një dozë të vaksinës e kanë pranuar 125,882 persona.

Në muajin maj, autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se kanë nënshkruar një kontratë me kompaninë farmaceutike amerikane Pfizer, për blerjen e mbi 1 milion dozave të vaksinës Pfizer/BioNTech.

Këto vaksina nuk dihet se kur do të arrijnë.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka regjistruar të premten nëntë raste të infektimit me koronavirus pas testimit të 1,694 mostrave.

Përgjatë 24 orëve të fundit nuk është regjistruar asnjë viktimë.

IKSHPK-ja ka njoftuar se më 18 qershor janë shëruar 14 pacientë nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, derisa raste aktive janë 179.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 107,629 pacientë me këtë virus.

Prej tyre 2,250 kanë vdekur. /Telegrafi/