Telegrafi

Ministria e Shëndetësisë porosit 100 mijë vaksina kundër gripit sezonal

Foto: Ilustrim

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike sipas një njoftimi për media dëshirojnë të informojnë qytetarët e Kosovës se, në funksion të parandalimit të gripit sezonal, MSh i ka porositur 100 mijë vaksina kundër gripit (prej tyre 500 doza pediatrike), të cilat do të sigurohen përmes shërbimeve të prokurimit të UNICEF-it.

“Vaksinat e porositura pritet të arrijnë në Kosovë në ditët e para të dhjetorit. Vaksinat kundër gripit sezonal, të cilat do të përdoren sivjet, sipas rekomandimeve të bëra nga OBSh, do të jenë katër shtamëshe, që e rrisin fuqinë mbrojtëse ndaj virusëve më agresivë në qarkullim të gripit sezonal. Vaksinat janë të dedikuara për për të mbrojtur grupet më të ndjeshme të popullatës, si të moshuarit dhe të prekurit nga sëmundjet kronike”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ndërkaq i siguron qytetarët se po e monitoron me kujdes situatën epidemiologjike në vend dhe do t’i mbajë ata të informuar në vazhdimësi, përfshirë këtu edhe informimin për arritjen dhe shpërndarjen e vaksinave./Telegrafi/