Site icon Telegrafi

Ministria e Shëndetësisë dhe Vianova Health Inc. lansojnë platformën online për t’u informuar për statistikat, simptomat dhe masat e parandalimit të COVID-19

Përgjatë ditëve të fundit, kompania amerikane Vianova Health Inc, e cila ka zyre edhe në Kosovë, ka punuar ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë në mënyrë që ta sjellin një teknologji e cila e ndihmon shtetin e Kosovës për ta luftuar Coronavirusin.

Sot me sukses ata kanë lansuar platformën Kosova Health, e cila do ta ndihmojë institucionin shëndetësor të jetë e informuar me brengat e qytetarëve, duke u mundësuar atyre t’i identifikojnë simptomat përmes një platforme monitoruese e cila është krijuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga sistemet më të mëdha spitalore sikur Kaiser Permanente dhe në partneritet me grupe si Lenovo Health.

Veç kësaj, platforma u jep edhe këshillat e nevojshme dhe adekuate qytetarëve në kohë reale.

Ekipa e Vianova Health Inc. ka bërë një punë jashtëzakonisht të mirë e të shpejtë, dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe ekipin e tyre – madje edhe me vet ministrin – kanë arritur t’i definojnë, zhvillojnë dhe implementojnë rrugët klinike në mënyrë që të informohet stafi mjekësor për rastet e dyshimta dhe të jepen këshilla se si të mbrohen ata vet dhe të tjerët.

https://www.youtube.com/watch?v=6HAk6I9p5y8&feature=youtu.be&fbclid=IwAR2o9V4zF9mGNFcINveZNk59XznNoZNxKbL6xTbdJGXjoFTwtzKybuBiADg

Deri më tani kjo teknologji ka qenë e përqendruar kryesisht në menaxhimin virtual të sëmundjeve kronike duke u ndihmuar pacientëve t’i japin të dhënat e tyre shëndetësore nga shtëpia, e mandej në platformë ata i kanë gjetur përmbajtjet dhe këshillat edukative për sëmundjet e tyre.

Sot është dëshmuar se kjo teknologji mund të jetë tejet efikase edhe në rastet tjera, e posaçërisht në rastet ku duhet të shmanget kontakti njerëzor.

“Ne besojmë se mjetet tona do ta ndihmojnë shtetin e Kosovës ta luftojë këtë pandemi në mënyrë efektive, duke mundësuar përdorim më të mirë të stafit mjekësor dhe rrezik më të ulët të ekspozimit duke i mbajtur palët relevante të informuara mirë, e gjithashtu edhe duke i shmangur kontrollet e panevojshme mjekësore përmes vizitave”, kanë deklaruar nga Vianova Health Inc.

Exit mobile version